Qeveria ndalon pensionet e veteranëve të UÇK-së nga Shqipëria

Veteranët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Shqipëria ka një muaj që nuk marrin pension për kontributin e tyre në luftën për çlirimin e Kosovës. Pensionet e tyre janë ndaluar nga Qeveria e Kosovës.

Shoqata e veteranëve të UÇK-së së Shqipërisë, ka reaguar duke e konsideruar këtë si një veprim të pamatur të qeverisë së Kosovës.

Ndërsa zyrtarë të qeverisë kanë thënë se vetëm janë duke e zbatuar ligjin.

Në reagimin e saj, Shoqata e Veteranëve të UÇK-së nga Tirana, potencon se veprimin e saj Qeveria e Kosovës e ka marr pa biseduar, konsultuar e ballafaquar me ata që siç thuhet në reagim ‘derdhën gjak dhe u sakrifikuan për Kosovën’.

“Erdhëm në luftë për çlirimin e Kosovës vullnetarisht, sepse e ndjemë të nevojshme, të bashkonim forcat për çlirimin e Kosovës, për t’i treguar botës përparimtare se jeta vëllazërore që përshkon gjakun e çdo shqiptari, është e do të mbetet lufta e përbashkët që kemi bërë gjatë historisë për çlirim kombëtar. Pas mbarimit të asaj lufte gjenocidale, një pjesë e vogël u inkuadrua në TMK, ndërsa të tjerët u rikthyen pranë familjeve të tyre”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e luftëtarëve të UÇK- së nga Shqipëria.

Ndërsa, Hekuran Murati, ministër i Financave dhe Transfereve, u është përgjigjur veteranëve nga Shqipëria përmes një postimi në Facebook.

Murati ka thënë se Qeveria vetëm po zbaton ligjin. Sipas tij, veteranët e UÇK-së që i plotësojnë kushtet sipas ligjit, përfshirë edhe ata në Shqipëri, vazhdojnë të marrin pensionin e veteranit. Pensionet janë ndalur për disa veteranë të cilët kanë të ardhura tjera, kriter ky që aplikohet edhe ndaj veteranëve të UÇK-së në Kosovë.

”Pra momentin që një veteran ka të ardhura tjera, nuk mund të përfitojë nga pensioni i veteranit. Këtë e përcakton ligji, pavarësisht vendndodhjes. Andaj nuk qëndron ajo që po tentohet të paraqitet në disa media. Shpresojmë se drejtësia në Kosovë si element kryesor pas pushtetit legjislativ, Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shqiptarët e kudo ndodhur, do të na japin të drejtën ligjore, ne luftëtarëve të trungut amë, që sakrifikuan jetën në luftë për çlirimin e trojeve etnike, krahas vëllezërve tonë shqiptarë të Kosovës shqiptare”, ka shkruar Murati.