Qeveria miraton projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor
Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor sot, më 28.08.2024.
Ndryshe nga deklarimi i djeshëm i Kryeministrit Albin Kurti, i cili e minimizonte rolin e sigurimeve shëndetësore duke thënë se qytetarët veçse paguajnë pak ose shumë pak për shumicën e shërbimeve shëndetësore e se ato nuk parandalojnë ose eliminojnë sëmundje, sot Kurti tha se ky ligj do të kontribuojë në ruajtjen e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve duke ulur varfërinë dhe pabarazitë e shkaktuara nga shpenzimet shëndetësore.
“Synimi ynë është që të investojmë në shërbime shëndetësore dhe të garantojmë sigurim publik shëndetësor për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe të jetësohet një gjë e tillë me miratimin e projektligjit për sigurimin shëndetësor” – tha shefi i ekzekutivit.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se ky projektligj është hapi themelor drejt krijimit të sigurimeve shëndetësore në vendin tonë. Ai e konsideroi këtë si moment vendimtar për marrëdhënien qytetar – shtet dhe për ngritjen e sistemit shëndetësor në një nivel të ri.
Projektligji, siç tha ministri është paraprirë nga një proces i detajuar planifikimi, analizimi dhe diskutimi.
“Ky proces është i pakthyeshëm. Me këtë nismë themelohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor. Për herë të parë përcaktohen rregullat për listën e barnave të rimbursueshme” – tha ai.
“Po rregullohen edhe çështjet për mbledhjen e kontributeve nga qytetarët për fondin e sigurimeve, këto kontribute do të jenë një nga burimet e rëndësishme të financimit të shëndetësisë në të ardhmen e afërt. Kështu buxheti që ndahet për shëndetësinë do t’i shtohet edhe kontributi i secilit prej nesh nga të hyrat personale” – shtoi Ministri.
Kryeministri Kurti tha se kanë arritur edhe një zotim të Qeverisë me miratimin e këtij projektligji që e kanë përcaktuar si prioritet në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030 dhe në programin e Qeverisë.
Mirëpo, funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore nuk mund të pritet edhe për 4 vite, bazuar në deklaratat e mëhershme të vetë Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Në prill të këtij viti, ai kishte thënë për KALLXO.com se për të funksionalizuar sigurimet shëndetësore duhet paraprakisht funksionalizohet Sistemi Informativ Shëndetësor (SISh).
Vitia pati thënë se deri në fund të këtij mandati, SISh-i do të jetë “pothuajse në fazë të parë, në mos në një fazë të mirë të implementimit”. E sipas tij, SISh-it i duhen optimalisht dy vite për t’u zbatuar, e sigurimeve shëndetësore katër.
E, të njëjtat afate kohore ai i pati dhënë edhe gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2019, mirëpo mos përmbushjen e këtij premtimi, ai e ka arsyetuar me pandeminë, duke thënë se Covid-19 ka ndryshuar prioritetet.
Qasja e djeshme e Kryeministrit lidhur me sigurimet shëndetësore është cilësuar si inerci në rritje ndaj zgjidhjeve që prioritizojnë mirëqenien shoqërore, nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
Kolektivi kritikoi deklarimin e Kurtit duke thënë se “shëndeti nuk është privilegj i të pasurve”.