Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com
Qeveria miraton Projektligjin për Lojërat Mesdhetare "Prishtina 2030"
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 27.11.2024, ka miratuar Projektligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Daulina Osmani, zëvendësministre e Kulturës ka thënë se me miratimin e këtij projektligji, Lojërat Mesdhetare shpallen ngjarje me interes të veçantë.
Ajo ka shpjeguar se me këtë projektligji parashihet themelimi i Komitetit organizativ të Lojërave Mesdhetare që do të udhëhiqet nga një bord që përbëhet nga kryeministri si kryesues, ministrat nga Ministria për Sport, Ministria për Financa, Ministria për Infrastrukturë dhe Ministria për Administrim të Pushtetit Lokal, nga kryetari i Komisionit parlamentar për Sportin, katër përfaqësues të Komitetit Olimpik- duke përfshirë edhe presidentin e Komitetit, si dhe nga tre përfaqësues nga Komuna e Prishtinës- përfshirë edhe kryetarin e saj.
Përveç tyre, pjesë e Bordit do të jenë edhe përfaqësues të komunës së Durrësit, Komiteti Olimpik të Shqipërisë dhe Ministria për Sport në Shqipëri.
“Përmes Lojërave Mesdhetare synohet të sigurohet trashëgimia e qëndrueshme për sportin, ekonominë dhe imazhin e Kosovës”- tha Osmani gjatë mbledhjes të Qeverisë.
Në ligjin për buxhetin për vitin 2024, Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 88 milionë euro për MKRS-në, e cila do të merret me organizimin e lojërave që do të mbahen për herë të parë në Kosovë.
Më 8 shtator 2024, Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) e shpalli Kosovën nikoqire të kësaj ngjarje sportive, që përfshin disa lloje sportesh, si xhudo, basketboll, boks, futboll, çiklizëm, etj.
Nga buxheti i shtetit, për gjashtë vitet e ardhshme, është planifikuar të investohen deri në 250 milionë euro.
Me këto mjete financiare do të ndërtohen fusha sportive, stadiume, palestra, fusha tenisi, kompleks i pishinave olimpike dhe infrastrukturë përcjellëse.
Për herë të parë, vendi ynë do të jetë organizator i një ngjarje të madhe sportive. Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, ku pritet të marrin pjesë 25 shtete me mbi 5 mijë sportistë.
Garat sportive për lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” do të zhvillohen në dy shtete dhe në 11 komuna, si Prishtina, Gjilani, Mitrovica, Gjakova, Prizreni, Ferizaj, Peja, Drenasi, Skenderaj, Podujeva dhe Durrësi. Në këto qytete do të zhvillohen 23 sportet e parapara në programin sportiv të lojërave mesdhetare.