Qeveria miraton projektbuxhetin për vitin 2025, me vlerë 3.6 miliardë euro

Qeveria e Kosovës, më 30.10.2024, ka miratuar Ligjin për Buxhetin për vitin 2025 me vlerë prej 3.6 miliardë euro.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këtë rast po shënohet një rekord historik, si “Qeveria e parë që miraton 4 buxhete vjetore”.

Kurti bëri të ditur se janë ndarë 930 milionë euro për investime infrastrukturore; 60 milionë euro për skema të shtesave për fëmijë; 105 milionë euro për nevoja të shëndetësisë; 87 milionë euro janë ndarë për nevoja të sigurisë e mbrojtjes, municion e pajisje furnizime të nevojshme dhe 788 milionë euro për komunat e Kosovës.

“Për vitin 2025 buxheti i projektuar shënon nivelin 3 miliardë e 608 milionë euro, që është për rreth 300 milionë euro, apo shprehur në përqindje për 8.87 për qind më i lartë sesa ai i vitit 2024” – ka thënë Kurti.

Për reagimet e partive opozitare në lidhje me rritjen e pagave, Kurti tha se janë kundërvlerë e vendimeve qeveritare.

Kryeministri tha që nuk duhet ngatërruar “emisionet humoristike dhe qeverisja e përgjegjshme”.

Qeveria e Kosovës ka rritur pagat për punëtorët e sektorit publik në Kosovë nga janari i viti 2025.

Kryeministri Kurti përmes një konference për media të mbajtur më 29.10.2024, njoftoi se një pjesë e rritjes së pagave do të bëhet nga janari, e pjesa e dytë e rritjes nga korriku i vitit 2025.

“Të gjithë të punësuarve në sektorin publik, pagat do t’u rriten për 55 euro nga janari, dhe për 55 euro tjera nga muaji korrik i vitit të ardhshëm”- u shpreh ai, duke bërë të ditur se rritja e përgjithshme e pagave brenda vitit 2025 do të jetë gjithësej 110 euro bruto.

Ai tha se vlera e koeficientit do të mbetet e njëjtë, por do të rritet njësia e koeficientit.

“Ne kemi shkuar në maksimumin e lejuar të rritjes së pagave. Kemi vendosur të mos e rrisim vlerën e koeficientit, por koeficientin për një njësi. Vlera e një koeficienti mbetet 110 euro, por rritet sasia e koeficienteve për 1 njësi. Duke filluar nga janari 2025 për gjysmë njësie dhe pastaj nga korriku i vitit të ardhshëm gjysma tjetër”- ka thënë Kurti.