Qeveria miraton programin qeverisës 2021- 2025, ja disa nga top prioritetet

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot programin qeverisës për vitet 2021 2025, program i cili mund të dërgohet kah fundi i javës së ardhshme për diskutim në Kuvendin e Kosovës.

Pas mbledhje së qeverisë, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Ekonomisë, Hekuran Murati kanë mbajtur një konferencë për media ku prezantuan pikat kryesore të programit qeveritar për 4 vitet e ardhshme.

Kryeministri Kurti dhe ministri Murati thanë para gazetarëve se programi qeverisës do të fokusohet në masat për përballimin e pasojave që po lë pandemia, zhvillimin ekonomik të vendit, mbështetjen për bizneset, rritjen e pagës minimale, krijimin e vendeve të punës dhe riorganizimin të skemave sociale.

Prioritete urgjente të Qeverisë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë gjatë kësaj konference se programi qeverisës i ka dy prioritete urgjente, e që të dyja lidhen me pandeminë.

Prioriteti i parë sipas Kurtit, është shëndeti në kushtet e pandemisë, ndërsa i dyti ka të bëjë me ekonominë po ashtu në kushtet e pandemisë. Në këtë aspekt, sipas kryeministrit, prioritet i qeverisë është sigurimi i vaksinave.

Ai ka thënë se, përveç vaksinave që deri tash ka arritur si donacion dhe ato të premtuara nga Kroacia, në ditët në vazhdim dhe deri në fund të majit apo fillim të qershori do të arrijnë vaksina të blera nga qeveria shumë më shumë, por pa përmendur numrin e saktë të vaksinave që pritet të arrijnë.

“Synimi ynë është që sa më shpejtë të marrim sa më shumë vaksina në mënyrë që gjatë stinës së verës të mund të vijnë mërgata jonë, dhe kësisoj mund t’i japë një hov rimëkëmbjes ekonomike në kushte pandemike gjatë stinës së verës që është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin tonë, kur kemi parasysh se remitencat”, ka thënë Kurti.

Vettingu, reforma në drejtësi dhe ‘lufta’ kundër varfërisë

Kryeministri Kurti ka thënë se gjatë mandatit të qeverisë së tij do të ketë transparencë, profesionalizëm dhe llogaridhënie.

Ndërsa ka premtuar reforma në drejtësi ku vettingu do të jetë fjala kryesore e kësaj reforme.

“Vettingu në prokurori, gjyqësi, për ta bërë prokurorinë aktive e gjyqësorin efikas dhe në nivele të larta të policisë dhe inteligjencës, është sigurisht kryefjalë e reformës në drejtësi”, ka thënë kryeministri.

Po ashtu Kurti ka thënë se gjatë mandatit 4 vjeçar të qeverisë së drejtuar nga ai, do të bëhen reforma në skemat sociale duke ofruar mbështetje për familje me të ardhura të vogla, shtesa për fëmijë e punësime për moshat e reja.

“Do të rishikojmë edhe skenat e asistencës sociale dhe do ta reformojmë sistemin pensional, do ta aktivizojmë fuqinë punëtore dhe do të sigurojmë shtesat për fëmijë, siç e kemi thënë në platformën tonë elektorale, duke mos harruar punësim të garantuar sezonal për një anëtar për familje, pastaj një vit për të rinjtë prej moshës 16 deri 18 dhe rimbursim për familjet e varfra”, ka thënë kryeministri Kurti.

Premtimet për çerdhe e pagën minimale

Gjatë mandati katërvjeçar, Kurti ka premtuar edhe ndërtimin e 160 çerdheve në gjithë vendin, mbështetje financiare për çiftet e reja dhe rritje të pagës minimale deri në 250 euro.

“Meqë shkollimi i hershëm është shumë i rëndësishëm do të kemi 160 çerdhe të reja në këto katër vjet anembanë Kosovës, mbështetje për çiftet e reja, grave kryefamiljare, e kështu me radhë. Do ta rrisim pagën minimale në 250 euro për 40 orë punë në javë dhe gjithashtu do ta ngrisim pragun e pagës që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale”, është shprehur ai.

Kurti ka premtuar se gjatë këtyre katër vjetëve të qeverisjes, do të përmbyllet zhvillimi i sistemit informimin shëndetësor dhe do të fillohet me rritjen e fondit të sigurimeve shëndetësore.

Po ashtu, ka thënë ai, do ta përmbyllet reforma e administratës publike dhe do të zbatojë diversifikimin e burimeve të energjisë dhe asetet strategjike, duke garantuar edhe çmime të përballueshme për industritë dhe amvisëritë.

Kurti ka premtuar edhe qasje në ujë të pijshëm për ata qytetarë që nuk kanë dhe problemi i ujërave të zeza pas katër vjetëve qeverisej të jetë një problem i së kaluarës.

Infrastruktura, mërgata dhe granti për komunat

Gjatë prezantimit të programit qeverisë gjatë konferencës, Kurti ka thënë se do të mundësohet ndërtimin i aksit Prizren – Tetovë dhe ndërtimin e një parku, siç ka thënë ai tekno-industrial më të madhin në rajon, reforma në arsim dhe pesëfishim të inspektorëve të punës.

Ndërsa sa i përket mërgatës, Kurti ka pohuar se ajo do të jetë pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit.

“Mërgatën do ta bëjmë pjesë të zhvillimit ekonomik, jo vetëm në rolin social përmes remitencave familjare, me ç’rast synojmë të krijojmë instrumente për investim bono thesari dedikuar për mërgatën në mënyrë që kapitali si saj të orientohet nga investimet që krijojnë vend pune”, ka theksuar kryeministri.

Ndërsa ka thënë se qeveria e tij do të krijojë grantin e katërt për komuna më qëllim që t’u mundësohet më shumë autonomi kryetarëve të komunave për investime në komunat e tyre.

Diplomacia, padia për gjenocid, garancia për ish ushtarët e UÇK-së dhe dialogu

Kurti ka thënë po ashtu se gjatë mandati 4 vjeçar qeverisës, Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE dhe për anëtarësim në Kartën e Adriatikut.

Ndërsa ka thënë se qeveria e tij është duke përgatitur dosjen për të paditur Serbinë për gjenocid.

“Ne me ministren e Drejtësisë, ekipin e saj dhe me këshilltarët e mi, kemi filluar punën për përgatitjen e padisë për gjenocidin e Serbisë në Kosovë për periudhën e luftës së fundit dhe për këtë rast, do t’ju njoftojmë kur do t’i kemi të qarta afatet e këtyre përgatitjeve e që janë një përgatitje gjigante, sepse një rast i tillë, as nuk guxon, as nuk mundet, as nuk duhet të humbet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, është shprehur Kurti.

Ndërsa sa i përket garancisë që ish-krerët e UÇK-së të mbrohen në liri, Kurti ka thënë se Kosova nuk është vend i tretë dhe nuk mund ta ofrojë atë, njëkohësisht edhe nuk mund t’ia kërkojë një vendi të tretë që të ofrojë garancinë.

“Nuk mund të kërkoj unë nga Kroacia për garanci, aty ka një proces juridik. Ata që janë në burg i kanë mbrojtësit e tyre ligjor, të cilët e udhëheqin mbrojtjen, pra nuk është shteti në gjyq, andaj nuk më takon mua të marr këso hapa. Do të ishte gabim edhe për mua, por edhe për luftëtarët e UÇK-së që i kemi në burg”, ka potencuar ai.

Gjatë kësaj konference Kuri u është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve sa i përket dialogut me Serbinë, reciprocitetin, lehtësirave për leje qëndrimi dhe punë të qytetarëve të Luginës dhe mungesën e një platforme për dialogun me Serbinë.

“Ne nuk jemi qeveri e cila zhvillon dialog me Serbinë pa e bërë këtë dialog me Kuvendin e Republikës së Kosovës, pa dialoguar me opozitën, një dialog të brendshme dhe pa i rishikuar gjitha marrëveshjet e arritura dhe zbatueshmërinë e tyre. Edhe për numrin e marrëveshjeve të arritura nuk është se ka një dakordim, thuhet që janë prej 15 deri 53 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, disa janë quajtur dakordime e kështu me radhë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ka theksuar se më 18 maj do të ketë një takim me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borell. Ndërsa dialogu me palë serbe pritet të ndodhë në qershor.

Pagë 6 mujore për lehonat që nuk punojnë

Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati gjatë konferencës ka thënë se në plani qeverisës parasheh edhe një pagë 6 mujore prej 250 eurove për lehonat e papuna.

“Kemi bërë zgjerimin e skemës sociale dhe ripërshtatjes, ashtu që bëhet vlerësim në bazë të nevojës dhe ata që kanë më shumë nevojë të përfshihen në këto skema sociale. Kemi pagesat për lehona prej 250 eurove për 6 muaj, për ato që janë të papuna”, ka thënë ministri Murati.

Ai ka thënë se plani për rimëkëmbje ekonomike të vendit do të fokusohet në disa pika kyçe, si rritja e fuqisë blerëse, prodhimi, eksporti dhe në politikat lehtësuese që to të ndërmerren nga qeveria për të mbështetur bizneset.

Ai ka thënë se motoja e kësaj qeveria do të jetë blerja dhe konsumi i prodhimeve vendore.

“Do të mbështesim prodhuesit edhe në rritje të kapaciteteve të burimeve njerëzore në shkollim dhe menaxhim, certifikim të menaxhmentit dhe prodhimeve. Masa mbështetëse për kthimin në punë të atyre që kanë humbur vendet e punës, masa mbështetëse për ata që hyjnë për herë të parë në punë, sidomos do të mbështesim punësimin e grave, ku një fokus të veçantë do të kenë bizneset që drejtohen nga gratë”, ka thënë Murati.

Po ashtu, sipas Muratit do të ketë lehtësira për investimet nga mërgatën dhe formalizim të ekonomisë.