Qeveria miraton Programin për Reforma në Ekonomi 2021-2023

Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e 60-të që është mbajtur në formë elektronike, ka miratuar Programin për Reforma në Ekonomi 2021-2023.

Sipas Qeverisë, programi do të dërgohet për informim në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe në zyrën ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë.

 “Duke marrë parasysh strukturën aktuale ekonomike të Kosovës dhe pengesat e shumta për rritjen ekonomike, në veçanti situatën e krijuar nga pandemia COVID-19, është e nevojshme që reformat strukturore të orientohen në mënyrë të tillë që synojnë rimëkëmbjen e ekonomisë në përgjithësi”, është bërë e ditur në njoftimin e Qeverisë.

 Tutje thuhet se në këtë linjë, Qeveria mbetet e përkushtuar për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike dhe për të përmirësuar perspektivat e punësimit. Kuadri i përgjithshëm është një kombinim i:

(1)   programit të rimëkëmbjes ekonomike i cili do të synojë të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike pas-pandemike,

(2)   një politikë fiskale të bazuar në rregulla të orientuara drejt stabilitetit të financave publike dhe, brenda hapësirës fiskale në dispozicion, duke mbështetur rritjen ekonomike përmes investimeve kapitale, rritjes së fondeve për zonat prioritare të zhvillimit dhe

(3)   një sërë reformash prioritare strukturore që adresojnë pengesat kryesore të rritjes ekonomike, duke mbështetur zhvillimin e sektorëve ekonomikë konkurrues dhe duke siguruar që rritja ekonomike është gjithëpërfshirëse dhe e orientuar drejt rritjes së mirëqenies .