Foto: ZKM

Qeveria miraton Programin për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot më 11.09.2024, ka miratuar Programin Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë prezantimit para kabinetit qeveritar tha se ky program synon të ndërtojë qëndrueshmëri kombëtare në vend në mënyrë që shoqëria jonë të përgatitet të rezistojë, reagojë e të rimëkëmbët në raste të fatkeqësive natyrore a sulmeve të armatosura.

“Bazuar në programin tonë qeverisës, ndryshimeve në ambientin strategjik të sigurisë dhe me qëllim të forcimit të sistemit të mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ministria e Mbrojtjes ka hartuar programin kombëtar për mbrojtjen gjithëpërfshirëse. Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme konvencionale dhe jokonvencionale dhe ruajtja e jetës dhe pasurisë së qytetarëve në raste të fatkeqësisë natyrore janë interesa jetike të Republikës së Kosovës”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se programi është hartuar bazuar në sisteme të ngjashme që aplikohen në vende të ndryshme të NATO-s.

“Sistemi ka në thelb mbështetjen që qytetarët ia japin në baza vullnetare ushtrisë sonë, FSK-së, por edhe të kombinuar me strukturat tjera shtetërore”- ka thënë Kurti.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se ky program është mbështetur në shtatë shtylla: Funksionimin shtetëror në raste krizash, organizimin shtetëror për mbrojtjen e vendit, mbajtjen e funksioneve vitale dhe shërbimeve esenciale të shtetit, qëndrueshmërinë shtetërore, qëndrueshmërinë e furnizimeve shtetërore, mbrojtjen e hapësirës së informacionit dhe edukimin e të rinjve dhe të rejave.

Maqedonci ka thënë se programi është hartuar mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike të kësaj ministrie.

Sipas tij, ky sistem nuk ndërhyn në zhvillimin e FSK-së, por mundëson që qytetarët vullnetarisht të kenë rolin e tyre në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Përderisa Forcën e Sigurisë po e ndërtojmë dhe zhvillojmë në përputhje me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, me programin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse po vendosim bazën për përgatitjen e qytetarëve dhe institucioneve për rolin e tyre në sistemin mbrojtës, për mbrojtjen e hapësirës së informacionit dhe dezinformatave dashakeqe, për të siguruar vijimësimin e funksionimit të furnizimeve dhe shërbimeve esenciale në situata krize dhe për të punuar në funksionalizimin e strehimoreve kolektive dhe aktivitete të tjera”- ka thënë Maqedonci.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Maqedonci ka thënë se miratimi i programit nuk është përgjigje ndaj ndonjë kërcënimi specifik.