Qeveria miraton programin në vlerë 12 milionë euro për zhvillimin dhe masivizimin e xhudos në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka miratuar programin për zhvillimin dhe masivizimin e sportit të xhudos me emërtimin “Kosova, shtet i xhudos”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka thënë në mbledhjen e qeverisë se ky program ka kosto rreth 12 milionë euro dhe është program 5-vjeçar.

“Ky program ka kosto 12 milionë euro dhe zhvillon sportin e xhudos. Programi ka disa qëllime si infrastrukturën e xhudos, fuqizimin e xhudos, masivizimin e sportit dhe mbështetjen e sportistëve elitarë. Është program pesë vjecar, 2022-2027” – tha Çeku.

Xhudistët Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi i kanë sjellë medalje olimpike Kosovës në sportin e xhudos.