Një nga mbledhjet e qeverisë së Kosovës

Qeveria miraton Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së 2020-2024

Qeveria në detyrë  e Kosovës në mbledhjen e sotme ka aprovuar Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2020-2024.

“Ky është Programi i pestë me radhë për zbatimin e MSA-së ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, që nga hyrja e saj në fuqi, më 1 prill 2016. Programi ka për qëllim zbatimin e të gjitha reformave për adoptimin e Acquis-së së BE-së në legjislacionin kombëtar në të gjithë kapitujt e saj”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Sipas njoftimit, programi i rishikuar paraqet një kornizë gjithëpërfshirëse të reformave konkrete afatshkurtra dhe objektivave prioritare afatmesme me prioritet (për periudhën 2020-2024) për zbatimin e MSA-së, përmes përafrimit të legjislacionit kombëtar me atë të BE-së dhe zbatimit të legjislacionit të përafruar.

“Të gjitha masat dhe prioritetet janë të ndara në tri blloqe: Kriteret Politike, Kriteret Ekonomike dhe Standardet Evropiane – Përafrimi i Legjislacionit të Kosovës me acquis-në e BE-së”, vijon njoftimi.

Qeveria në detyrë ka dhënë detaje lidhur me vendimin në fjalë, të cilat i gjeni më poshtë:

Kriteret politike mbulojnë fushat e ligjvënies, ekzekutivit, reformave kushtetuese, reformës së sistemit zgjedhor dhe të administratës publike, bashkëpunimit rajonal, si dhe, pjesërisht, ato të sundimit të së drejtës, gjyqësorit, të drejtave themelore dhe mbrojtjes së minoriteteve. Ky bllok përmban pesë kapituj: Kushtetuta, Parlamenti dhe sistemi zgjedhor; Administrata publike; Avokati i Popullit; Mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë; dhe Bashkëpunimi rajonal dhe obligimet ndërkombëtare.

Kriteret ekonomike janë harmonizuar me Programin për Reforma Ekonomike (PRE). Ky bllok gjithashtu reflekton prioritete dhe aktivitete të dalë nga mekanizma të tjerë të dialogut me BE-në, si prioritetet vjetore, konkluzionet e strukturave të MSA-së, ose nga mekanizmat multilateralë, si marrëveshjet me FMN, etj. Ky bllok përmban dy kapituj: Ekzistenca e ekonomisë funksionale të tregut, dhe Kapaciteti për t’u përballur me presionin e konkurrencës dhe forcat e tregut brenda Unionit.

Standardet evropiane – përafrimi i legjislacionit të Kosovës me acquis-në e BE-së përfshin të gjitha politikat publike që mbulojnë acquis e BE-së dhe kërkon reformimin e tërë qeverisjes përmes miratimit të saj në legjislacionin kombëtar dhe zbatimit të saj. Ai përmban 33 kapituj të acquis-së dhe një kapitull mbi kornizën ligjore për përafrimin e legjislacionit vendor me acquis.