Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

Qeveria miraton plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për tatim në pronë të paluajtshme, përfshihet edhe falja tatimore për vitin 2023

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar disa vendime.

Sipas një komunikate për media, Qeveria ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.

“Qëllimi i këtij Ligji është të sigurojë progresivitet të shkallës tatimore, lirim tatimor për vendbanimin parësor dhe tokat bujqësore, faljet tatimore për vitin tatimor 2023 dhe rregullat kufizuese për aplikimin e detyrimit tatimor, dhe interesit”- thuhet në njoftim.

Gjithashtu, Qeveria ka miratuar Vendimin për miratimin e Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2023-2027.

Në njoftim bëhet e ditur se programi është dokumenti kryesor Strategjik i Republikës së Kosovës për zbatimin e reformës për integrim në Bashkimin Evropian, i orientuar kah adoptimi aquis së BE-së në legjislacionin kombëtarë dhe zbatimin e tij.