Foto nga një mbledhje e kaluar e Qeverisë - Foto: ZKM

Qeveria miraton plotësim ndryshimin e Ligjit për Mjekësinë Ligjore

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për plotësim ndryshimin e Ligjit për Mjekësinë Ligjore.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se ky projektligj ka qenë një ndër prioritetet e dikasterit që ajo udhëheq.

“Ky projektligj paraqet njërin nga prioritet e Ministrisë së Drejtësisë. Kemi eliminuar pengesat për zbatimin e ligjit ekzistues, avancimin e shërbimeve në fushën e mjekësisë ligjore, akreditimin e laboratorëve mjeko-ligjor në bazë të standardeve ndërkombëtare, digjitalizimin e databazës” – tha ministrja Haxhiu.

Qëllimi i këtij projektligji është rregullimi i procedurës për kryerjen e ekzaminimeve mjeko ligjore, themelimi dhe veprimtaria e Institutit për Mjekësinë Ligjore.

Në tetor të vitit të kaluar, KALLXO.com pati publikuar një hulumtim për dyshimet se Prokuroria e Gjilanit i angazhon ekspertët në kundërshtim me ligjin.

KALLXO.com pati zbuluar se doktorë, kirurgë dhe ortopedë në Komunën e Gjilanit janë angazhuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan si ekspert mjekoligjor në kundërshtim me ligjin pasi nuk kanë të përfunduar specializimin e mjekësisë ligjore.

Ata pranojnë aktvendime për kryerjen e ekspertizave nga ana e prokurorëve të Gjilanit, marrin qasje në dosjet penale dhe kryejnë ekspertiza mjeko-ligjore edhe pse nuk janë pjesë e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Sipas ligjit për mjekësinë ligjore, ekspertizat mjeko-ligjore mund të jepen vetëm nga ekspertët mjeko-ligjor të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Dyshime se Prokuroria e Gjilanit i angazhon ekspertët në kundërshtim me ligjin