FOTO: KALLXO.com

Qeveria miraton nismat për lidhjen e dy marrëveshjeve ushtarake me Turqinë dhe Poloninë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare për “Statusin e Forcave SOFA” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se në procesin e ngritjes së kapaciteteve ushtarake të FSK-së, kjo marrëveshje është hartuar në bazë të rregullores së punës së Qeverisë së Kosovës.

“Në procesin e ngritjes së kapaciteteve ushtarake të FSK-së për të qenë një forcë ndërvepruese me vendet e NATO-s, marrë në konsideratë raportet bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe shteteve mike si dhe vullnetin e përbashkët të FSK-së që të jetë pjesë aktive ushtarake krah vendeve partnere, kemi marrë këtë iniciativë”, tha Mehaj.

Qeveria po ashtu në këtë mbledhje ka marrë vendim edhe për miratimin e nismës për lidhjen e Marrëveshjes Teknike ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga ministria e Mbrojtjes e Republikës së Polonisë.

Edhe këtë propozim para kabinetit qeveritar e bëri ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj duke theksuar se edhe kjo nismë është ka për qëllim rritjen zgjerimin dhe avancimin në bashkëpunimin fushën e mbrojtjes mes shteteve anëtare të NATO-s.

“Në procesin e ngritjes së kapaciteteve ushtarake të FSK-së, për të qenë një forcë ndërvepruese me vendet e NATO-s, që të marrë pjesë në kuadër të operacionit ‘Atlantic Resolve’, si pjesë e bash-zbarkimit në gardën kombëtare të Iowas, kemi marrë iniciativën për hartimin e lidhjes së marrëveshjes teknike mes qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Polonisë”, tha Mehaj.

Përveç këtyre dy nismave, qeveria e Kosovës sot ka marrë ka miratuar vendimin për themelimin e grupit punues ndër-institucional për integrimin e Republikës së Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Qeveria themelon grupin punues për integrimin e Kosovës në NATO