Qeveria miraton ndryshimet në Ligjin për Byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme
Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pasi Gjykata Kushtetuese kishte gjetur se disa nene të këtij ligji nuk ishin në harmoni me Kushtetutën.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se kanë adresuar me përkushtim gjetjet e Gjykatës në të njëjtin ligj, pa draftuar një ligj të ri.
Ndër të tjera, Haxhiu theksoi rëndësinë e konfirmimit nga Gjykata se konfiskimi civil është kushtetues.
“Siç kemi theksuar edhe më parë, një nga triumfet më të mëdha është konfirmimi që konfiskimi civil është kushtetues, duke e cilësuar si një instrument legjitim dhe proporcional për luftimin e korrupsionit në sektorin publik. Kjo është një fitore e qartë për shtetin e së drejtës dhe një mesazh i fuqishëm për të gjithë ata që abuzojnë me detyrën zyrtare dhe për të gjithë ata që thonin se konfiskimi civil i shkel të drejtat e njeriut” – tha ajo.
Ministrja deklaroi se ndryshimet e reja përfshijnë konceptin e pamundësisë objektive, qartësinë e periudhave kohore për verifikim të pasurisë dhe rikonstruktimin e komisionit mbikëqyrës.
Koncepti i pamundësisë objektive, sipas saj është element kyç procedural i cili ofron një mekanizëm mbrojtës për ata që nuk mund të sigurojnë prova për shkak të kalimit të kohës ose faktorëve të tjerë objektivë.
Periudha e verifikimit do të lidhet me periudhën kur zyrtari publik ka ushtruar funksionin, duke lejuar përjashtimisht zgjatjen e verifikimit për 5 vite, pas përfundimit të ushtrimit të funksionit publik, nëse vlerësohet se pasuria është dukshëm më e lartë se sa të ardhurat e ligjshme.
“Versioni i ri ka ristrukturuar komisionin mbikëqyrës duke përfshirë tre anëtare të emëruar nga kuvendi, drejtorin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe drejtorin e Njësitit të Inteligjencës Financiare” – shpjegoi Haxhiu.
Miratim i këtij projektligji, sipas saj është hap i rëndësishëm drejt luftës kundër korrupsionit në vend.
Ndërkohë, pas mbledhjes së Qeverisë, në konferencë për media, Haxhiu tha se tani nuk ka as arsye teknike për ta dërguar sërish këtë ligj në Kushtetuese.
Ajo u bëri thirrje të gjithë deputetëve që ta përkrahin këtë ligj “për të qenë bashkë kundër korrupsionit”, ndonëse ka “thumbuar” PDK-në e cila e kishte dërguar ligjin në Kushtetuese.
“E mbani mend që kur është kontestuar për herë të parë, PDK-ja e ka dërguar atë në mënyrë tinëzare sepse zakonisht bëjnë pompozitet me konferenca për media pas dërgimit. Këtë herë ka ndodhur ndryshe e kanë dërguar përmes avokatit. Sepse ata e dinë që qytetarët duan qe zyrtarët që e kanë keqpërdorur pozitën duhet të japin llogari për këtë” – ka theksuar Haxhiu.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur më 26.06.2024 për të shpallur të pavlefshëm Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke gjetur shkelje kushtetuese në disa pika të këtij ligji.
Ky ligj ishte dërguar në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës më 21.02.2023.