Foto: ZKM

Qeveria miraton ndryshime të përkohshme të rregullave fiskale

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti ka miratuar ndryshime të përkohshme të rregullave fiskale të buxhetit.

Sipas ministres së Financave, Hykmete Bajrami, ndryshimi është i nevojshëm pasi situata e pandemisë ka ndikuar që të ketë rënie të të hyrave, që ka ndryshu dukshëm realizimin e buxhetit.

“Nevojiten të ndryshohen përkohësisht disa rregulla fiskale. Ndryshimi i përkohshëm i kufirit të deficitit në nivelin deri në 6.5% të bruto produktit vendor të parashikuar, ndërsa kufiri i bilancit të shfrytëzueshëm bankar të ulet përkohësisht më së paku 3% të bruto produktit vendor të parashikuar”, ka thënë ministrja Bajrami.

Ajo tha se Ministria e Financave ka identifikuar burime shtesë të financimit të deficitit, i cili do të financohet nga burimet e brendshme dhe të jashtme si përmes emitimit të letrave me vlerë apo kredive ndërkombëtare.

Ndërsa që kjo kërkesë të miratohet plotësisht, nevojitet edhe miratimi nga ana e Kuvendit të Kosovës.