Qeveria e Kosovës, Foto: Albin Kurti Facebook

Qeveria miraton masat e reja anti-COVID-19 dhe katër projektligje

Në mbledhjen e 46-të të Qeverisë së Kosovës është marrë vendim për miratimin e masave për parandalimin e pandemisë COVID-19 dhe janë miratuar katër projektligje.

Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve pritet të vazhdojë të jetë nga ora 00:00 deri në ora 05:00.

Sipas vendimit, bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative dhe ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.

Tutje theksohet se pavarësisht numrit të personave, pritet të vazhdojë ndalimi i veprimtarisë së klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore,  në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Projektligjet e miratuara janë Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për statusin e pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territoret e shteteve përkatëse, Projektligji  për borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore, Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Programit – Nxitja dhe levimi i mundësive për sigurinë e ujit, Projektligji për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Programin Shkëmbimit Akademik Fulbright.

Sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës në këtë mbledhje është miratuar vendimi për kalendarin vjetor të përkthimit të acquis të Bashkimit Evropian në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe kalendari i aktiviteteve për vitin 2022, vit i shpallur si “Viti i personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës” nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Gjithashtu në këtë mbledhje është shfuqizuar vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 5 qershor 2018 për emërimin e zëvendësdrejtorit për shërbime administrative-financiare në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror. Është anuluar edhe vendimi i Qeverisë i datës 11 qershor 2019, në bazë të së cilit ishte miratuar rekomandimi i ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes për ristrukturimin e disa pozitave në këtë Ministri.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime, ndarje dhe harmonizime buxhetore për të mundësuar harmonizimin e ndarjeve buxhetore në kategorinë e pagave dhe shtesave për muajin nëntor të viti 2021.

Këtu mund të gjeni të gjitha vendimet e miratuara nga Qeveria e Kosovës.