Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

Qeveria miraton masat e emergjencës në furnizim me energji

Qeveria e Kosovës, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë ka miratuar vendimin për shpalljen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.

Sipas Qeverisë, me qëllim të sigurimit të energjisë së mjaftueshme gjatë dimrit dhe të mbrojtjes së interesit publik masat e emergjencës përfshijnë: Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave; Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.

Ky vendim i Qeverisë është marrë pasi gjendja aktuale botërore energjetike ka ndryshuar me rritjen e shpejtë e çmimit të importit të energjisë, si dhe paralajmërimin e ndalimit të eksportit të lëndëve fosile nga disa shtete evropiane që mund të ndikojë në rritjen e mëtejshme të çmimit të importit.

Qeveria ka shtuar se vazhdimisht janë duke monitoruar situatën me energjinë elektrike.

“Edhe pse termocentralet janë të stërvjetruara, menaxhmenti i KEK-ut së bashku me ekipet e mirëmbajtjes janë duke e bërë maksimumin që blloqet e termocentraleve të gjenerojnë energji elektrike të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën vendore. Termocentralet e KEK-ut janë në funksion mbi 80% të kohës gjatë një viti, që është mbi mesataren botërore të punës së termocentraleve me thëngjill. Këto riparime na mundësojnë që ta mbajmë këtë mesatare të lartë të gjenerimit të energjisë dhe furnizim sa më të rregullt”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Masat e marra nga Qeveria e Kosovës do të mbesin në fuqi për 60 ditë pas aprovimit nga Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi mund të vazhdojë këtë afat për periudha të njëpasnjëshme prej 30 ditësh me shumicë të votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm në seancë, deri në 180  ditë.