Qeveria e Kosovës, Foto: Albin Kurti Facebook

Qeveria miraton koncept-dokumentin për themelimin e mekanizmit për dokumentim të krimeve gjatë luftës

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar draftin e koncept-dokumentit për themelimin e një mekanizmi për dokumentim të krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se koncept-dokumenti ka për qëllim themelimin e një mekanizmi të veçantë për shkeljet dhe krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosove.

“Ky mekanizëm do t’i kontribuojë realizimit të së drejtës për drejtësi, për paqe. Ky është momenti për të institucionalizuar, mbrojtur dhe ruajtur kujtesën kolektive e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve por edhe gjeneratave pas nesh”, tha Kurti.

Këtë propozim para ministrave e bëri ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo tha se dokumentimi do të bëhet përmes një ligji të veçantë.

“MD në përputhje me programin e qeverisë ka hartuar mekanizmin, qëllimi është që krimet që kanë ndodhur të mblidhen, verifikohen, sistemohen, ruhen dhe të jenë që qasshme. Dokumentimi i krimeve i rregulluar me ligj të veçantë më së shumti do t’i shërbente qytetarëve të dinë për drejtësi…”, ka thënë Haxhiu.

Në maj të këtij viti ishte formalizuar Grupi Punues për hartimin e koncept dokumentit për themelimin e Institutit për krimet të kryera gjatë luftës në Kosovë.