Qeveria miraton kërkesën për huamarrje në vlerë 20 milionë euro nga Ndërmarrja ‘Trepça’

Qeveria ka aprovuar kërkesën për huamarrje të Ndërmarrjes Publike “Trepça Sh.A”.

Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti propozoi aprovimin në parim për huamarrje deri në 20 milionë për Trepçën me qëllim investimi kapital në miniera.

“Zhvillimi i ndërmarrjeve publike është qenësorë për zhvillimin e ekonomisë në vend, për këtë investimi në ndërmarrje publike është i nevojshëm. Propozohet aprovimi në parim për huamarrje deri në 20 milionë për Trepçën me qëllim investimi kapital në miniera”- tha Kurti.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se kjo huadhënie nga Ministria, është në kuadër të veprimeve që kanë ndërmarrë për kthimin e gjendjen e profitabilitetit dhe zhvillimit në ndërmarrjet publike.

“Kjo huadhënie është në kuadër të veprimeve që kemi marrë si Qeveri për kthimin e gjendjen e profitabilitetit dhe zhvillimit në ndërmarrjet publike. Kjo huamarrje në vlerë prej 20 milionë euro pritet të përdoret për të investuar në makineri dhe flotacion që janë hapa të domosdoshëm për rritjen e eksplantimit të xehes në miniera. Një investim i tillë do t`i mundësoj Trepçës rritjen e prodhimit”- tha Murati.