Foto nga një mbledhje e kaluar e Qeverisë - Foto: ZKM

Qeveria miraton gjashtë vendime, ndan 19 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për konsumatorët

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e 19 milionë eurove në kuadër të masës së mbështetjes për tejkalimin e krizës energjetike.

Mjetet e ndara do të përdoren për subvencionimin e energjisë elektrike për konsumatorët fundorë, me qëllim të uljes së ndikimit të tarifave të energjisë, e cila do të reflektohet në faturat e konsumatorëve, ka njoftuar Qeveria.

Po ashtu, në kuadër të masës 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, janë ndarë 6 milionë euro, me qëllim subvencionimin e zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë.

Në ketë mbledhje, Qeveria ka marrë vendim lidhur me afatin e regjistrimit të automjeteve me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, që do të vazhdojë deri më 31 tetor.

Qeveria në mbledhjen e 97-të ka aprovuar vendimin për dyfishimin e pagesës për përfituesit e skemës së ndihmës sociale për muajin shtator 2022.

Ndërsa, me vendim të Qeverisë, janë shpallur me interes të veçantë publik pronat e paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve infrastrukturore për interes publik” në zonat kadastrale: Bërnjak dhe Jasenovik i Epërm në komunën e Zubin Potokut.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe vendimi për ndalimin e eksportit dhe rieksportit të produkteve të drurit si lëndë djegëse. Ky ndalim është i përkohshëm dhe në përputhje me Tarifën e Integruar të Kosovës (TARIK) të vitit 2022.