Qeveria miraton dy projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve për hua

Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar dy projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve për hua.

Një prej tyre është Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Kosovës dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e zhvillimit të ujërave të zeza në Gjilan.

Sipas një komunikate për media, marrëveshja siguron hua në vlerë prej 10 milionë euro për realizimin e këtij projekti dhe afati i kthimit është 30 shtatori i vitit 2033.

Kurse, projektligji tjetër është për Ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Sipas Qeverisë, Marrëveshja siguron kredinë në vlerë prej 14,6 milionë eurove.