Qeveria miraton dy nisma për lidhje të marrëveshjeve me Kroacinë

Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes për transferim të personave të dënuar dhe marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

Propozimin për nismën e parë para kabinetit qeveritar e bëri ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është forcimi i raporteve mes dy vendeve, po ashtu vendosja e drejtësisë dhe rehabilitimi social i personave të dënuar. Marrëveshja përcakton edhe rregullat procedurale prej kërkesës deri te zbatimi i vendimit” – ka thënë ajo.

Po ashtu, në këtë mbledhje, Qeveria me propozimin e Ministrisë së Drejtësisë ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

Edhe këtë propozim e bëri ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është forcimi i bashkëpunimit në fushën civile juridike. Kjo marrëveshje zbatohet për çështje civile, çështje familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet e pronësisë dhe marrëdhënie të tjera civile të personave. Palët përmes kësaj marrëveshje i garantojnë palës tjetër të drejta për shtetasit e tyre”- ka thënë ajo.