Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria miraton draftin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit

Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, ka kërkuar që të miratohet drafti i Strategjisë për Sundimin e Ligjit. Ajo, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, tha vizioni i kësaj strategjie është kthimi i besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

“Ky dokument do të jetë udhërrëfyesi kryesor për ne dhe institucionet ndërkombëtare që duan të investojnë në Kosovë për t’ua treguar atyre rrugën se ku duam të shkojmë ne si vend. Strategjia që po prezantojmë sot, është produkt i një procesi të gjatë e detajuar. Është strategji për gjithë sektorin e sundimit të ligjit dhe përfshihen edhe institucionet sikur policia”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se strategjia 5 vjeçare, përmban 4 objektiva të rëndësishme siç janë fuqizimi i gjyqësorit dhe prokurorisë, fuqizimi i drejtësisë penale, fuqizimi i qasjes në drejtësi dhe fuqizimi i luftës antikorrupsion.