Qeveria e Kosovës, Foto: Albin Kurti Facebook

Qeveria miraton draftin e koncept-dokumentit për Vettingun në drejtësi

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar koncept-dokumentin për vettingun në sistemin e drejtësisë.

Kryeministri, Albin Kurti tha që një sistem i mirë i drejtësisë është jetik për vendin dhe qytetarët.

“Këto 22 vite që nga përfundimi i luftës na kanë munduar shumë gjëra, e më së shumti mungesa e drejtësisë, institucionet kanë qenë më shumë në dispozicion të sistemit sesa qytetarit. Lirinë e kemi fituar dhe tash duhet ta institucionalizojmë lirinë përmes drejtësisë. Në mënyrë që sistemi gjyqësor dhe prokurorial të veproi drejtë ndajë qytetarëve, duhet të ketë njerëz profesional. Sot është ditë e veçantë sepse po e bjëmë hapin thelbësor për vettingun në drejtësi”, tha ai.

Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë tha që procesi do të jetë i drejtë dhe do t’i përfshijë të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë.

“Ky dokument parasheh që procesi të nis nga nivelet më të larta, për të përfunduar në një afat kohor optimal prej 5 viteve. Procesi do te jetë i drejtë, profesional, i pavarur dhe efektiv. Sundimi i ligjit është i rëndësishëm andaj më shumë se kurrë jemi të vendosur që ta kemi sundimin e ligjit”, tha ajo.

Ministrja Haxhiu rekomandoi që për këtë proces të zgjidhet opsioni i pestë i cili është opsion i kombinuar mes ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore.

Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.