Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO

Qeveria miratoi programin për Barazi Gjinore 2020-2024

 

Në mbledhjen e 34-të të Qeverisë në detyrë të Kosovës është miratuar Programi i Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024 dhe Plani i veprimit 2020-2022.

Sipas njoftimit të Qeverisë, pas shqyrtimit të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024  dhe Planit të veprimit 2020-2022, Qeveria mori vendim për miratim të këtij Programi.

Vendimi obligon institucionet e Republikës së Kosovës për zbatim të këtij programi sipas aktiviteteve të parapara në Planin e Veprimit, ndërsa Agjencinë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit e obligon për monitorim të zbatimit dhe për raportim vjetor mbi zbatimin e programit.

Programi i Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024, e përkufizon barazinë gjinore si një të drejtë themelore dhe një nga faktorët e rëndësishëm për rritjen ekonomike, zhvillimin dhe stabilitetin në shoqëri.

Barazia gjinore është edhe një nga parimet fundamentale të të drejtave të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Objektivi i përgjithshëm strategjik i Programit të Kosovës për Barazi Gjinore është sigurimi i barazisë gjinore si një fokus i proceseve transformuese në të gjitha strukturat, institucionet, politikat, procedurat, praktikat dhe programet e qeverisë, agjencive, shoqërisë civile, sektorit privat dhe komunitetit të donatorëve. Ky objektiv synohet të arrihet duke punuar në tri drejtime:

  • Krijimin e mundësive të barabarta për të kontribuar dhe përfituar nga zhvillimi ekonomik, gjithëpërfshirja dhe përmirësimi i mirëqenies sociale.

·  Avancimi i barazisë gjinore përmes arsimit cilësor, shëndetësisë cilësore, gjithëpërfshirjes dhe shfrytëzimit të kapaciteteve njerëzore në zhvillimin e qëndrueshëm dhe zhdukjen e pabarazisë dhe stereotipeve gjinore; ·  Avancimi i të drejtave për vendimmarrje, paqe, siguri dhe drejtësi”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.