Qeveria merr vendim për shpronësimin e pronave te terminali në Han të Elezit, nga kompania thonë se AKP nuk i ka në menaxhim ato

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar se në mbledhjen e djeshme të Qeverisë kanë marrë vendim për shpronësimin e pronave, që sipas tij, janë në menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në afërsi të pikës kufitare në Han të Elezit. 

Aliu përmes një konferencë për media ka deklaruar se operatori ekonomik “Terminali” Sh.p.k. nuk ka pasur të drejtë që të bllokojë rrugën në pronën të cilën pretendon ai se menaxhohet nga AKP.

Sipas ministrit Aliu, kjo është ndër masat që kanë ndërmarrë në mënyrë që transportuesit e mallrave që hyjnë në Kosovë përmes kësaj pike të mos ia paguajnë taksën 40 euro kompanisë private.

“Kemi kuptu që i gjithë territori, zona në fjalë, përbëhet nga parcela të cilat janë në menaxhim të AKP-së dhe dhe janë parcela të privatizuara, por që edhe në rastin kur parcelat janë të privatizuara, prapë se prapë pronari i ri nuk ka të drejtë që të bllokojë rrugën. Po ashtu nuk ka të drejtë as të bëjë bllokimin e rrugëve në pronat që menaxhohen nga AKP, sepse janë në pronësi të tyre. Këtu e kemi kuptu që pengesat kanë qenë të vendosura në pronësi të privatizuar kanë qenë në pronësi të cilat menaxhohen nga AKP”, u shpreh ai. 

Sipas ministrit Aliu, vendimi i tri instancave gjyqësore që vendosi në favor të kompanisë “Terminali” Sh.p.k. që nënkuptonte rikthimin e barrierave, është i çuditshëm. 

“Kemi kërkuar menihere nga AKP që të bëjë zhbllokimin e kësaj rrugë. AKP pas kërkesës sonë kanë fillu me bë zhbllokimin, kanë has në problem se tri nga ato parcelat janë në menaxhim të AKP-së për to ka një vendim të gjykatës, kur gjykata i jep të drejtë operatorit privat që ta bllokojë pronën e AKP-së. Ky ka qenë një vendim i quditshëm i gjykatës për shkak se në këtë proces fare nuk ka qenë e përfshirë as AKP”, ka thënë ai.

“Rrjedhimisht operatori privat nuk mund të ketë të drejtën që të vendos pengesa fizike në pronë të dikujt tjetër, madje as nuk kanë të drejtën as në pronën që është e privatizuar nga ai, sepse në marrëveshjen e privatizimit, ajo e drejtë e bllokimit të rrugës nuk i lejohet dhe kësisoji janë marrë vendimet e para, zhbllokimi dhe dje kemi marrë vendim që të bëjmë shpronësimin e pronave që janë aktualisht në menaxhim të AKP-së”, tha ai. 

Më 4 mars 2022, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe Ministria e Infrastrukturës për herë të dytë brenda një muaji, nën asistencën e Policisë kanë ndërhyrë në largimin e barrierave në pronën në afërsi të pikës kufitare të Hanit të Elezit. Në atë pronë të privatizuar nga kompania “Terminali” Sh.P.K,  transportuesit e mallrave që hynin tranzit në Kosovë, paguanin një taksë në vlerë deri 40 euro.

Avokati i “Terminalit” demanton ministrin Aliu

Pas konferencës për media që mbajti ministri Aliu, KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin Sabri Kryeziu që përfaqëson kompaninë “Terminali” Sh.P.K. 

Ai deklaratat e ministrit Aliu i ka quajtur të pavërteta. Avokati Kryeziu thotë se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) nuk ka në menaxhim asnjë parcelë. Mirëpo ai tregon se tri parcela figurojnë në emer të NSh “Sharr Salloniti”, por kur është privatizuar janë dhënë në posedim edhe tri parcelat tjerë.

Saktësisht paracelat me numër 354-1 , 356, 355-1, 353-1, 351-1, 354-2,352-1, 351-3 janë parcelat që Terminali Sh.p.k thotë se i kanë në posedim dhe që në to, Ministria e Infrastrukturës në vitin 2014 kishte ndërtuar një rrugë.

“Ai flet për disa çështje ose nuk i di, ose nuk e kanë informuar mirë. Ai e përdorë nocionin – bllokim i rrugës, nuk e di se çka nënkupton ai me këtë. Ne nuk e kemi bllokuar. Ai habitet që ka edhe një vendim të gjykatës sepse është e turpshme dhe jo profesionale që të komentohen vendimet e gjykatës. Janë instancat e tjera që janë shfrytëzuar për ankesa nga ministria dhe janë refuzuar të gjitha”, thotë ai.

“Operatori ekonomik [Terminali Sh.p.k] në procedurën e privatizimit në prill 2010, ka lidh kontratë për privatizim me AKP për disa parcela qe kanë qenë të ish-ndërmarrjes “Sharr Sallotini” privatizimi është për parcelat 300/3, 300/1 dhe 354/2. Kjo tokë prej si ekziston terminali është paraqitur si terësi e pandashme. Në kuadër të kësaj terësie me rrethoja për shkak të sigurisë ka qenë të përfshirë edhe parcelat 356, 355-01, 354-01. Që nga momenti kur e ka marr në shfrytëzim kompania si blerës dhe posedues parcelave si terësi, nuk ka pasur rrugë që shfrytëzohet  trafikisht por është e vërtetë se në skica kadastral ekziston e regjistruar rruga më numër 300/4, 345/3, 345/2. Mirëpo kjo rrugë as që ka qenë të bëjë në drejtim të pikëkalimit kufitar është çështje e faktune”, rrëfen ai.

Avokati thotë se nga viti 2001 deri edhe dy vjet pas privatizimit në vitin 2012, kompania nuk ka bërë diçka që të ndryshojë diçka aty. Sepse sipas tij, aty ka ndërhyrë vetëm Ministria e Infrastrukturës në vitin 2014. E që kundër Ministrisë, kompania ka fituar rastin në tri instanca gjyqësore.

Nga “Terminali” Sh.P.k po ashtu kanë reaguar duke e quajtur të pavërtetë edhe deklaraten e ministrit Aliu ku thotë se “ata [terminali doganor] po i detyrojnë kompanitë e transportit që të paguajnë 40 euro për tranzit dhe se më pas ata detyrohen që të paguajnë edhe 40 euro për zhdoganim në terminale tjera të brendshme në Kosovë”. Po ashtu sipas tyre, nga viti 2014 deri në vitin 2021, konsiderojnë se është shkaktuar dëm ndaj biznesit të tyre.

Historiku

Në prill të vitit 2010, prona qe gjendet në afërsi të degës doganore në Hani të Elezit ose në pikën kufitare Shkup – Hani i Elezit, është privatizuar nga “Terminali” Sh.p.k. Aty kishte qenë më parë një fabrikë.

KALLXO.com ka siguruar një padi të cilën ndërmarrja e ka bërë kundër ministrisë, në të cilën përshkruhet se prona ishte privatizuar në vitin 2010, në valën e 40 të privatizimeve.

Gjatë posedimit të kësaj prone, sipas dokumenteve që KALLXO.com posedon, kishte lindur një kontest në mes të privatizuesit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.

“Terminali Sh.p.k” në vitin 2014 kishte paditur Ministrinë për pengim në posedimin e pronës të cilën e kishte privatizuar.

Në këtë padi përshkruhej se Ministria e Infrastrukturës pa përfillur rregulla i kishte larguar barrierat dhe i kishe marrë në posedim me dhunë atë pjesë të rrethojave, për zgjerim të rrugës pa pëlqimin e ndërmarrjes.

Gjykata e Ferizajt i kishte dhënë të drejtë ndërmarrjes dhe kishte konstatuar se Ministria e kishte penguar paditësin në posedimin e pronës së tij. Me këtë vendim, e kishte urdhëruar Ministrisë që ta kthente gjendjen sikurse ka qenë.

Vendimi i tillë ishte aprovuar edhe nga Gjykata e Apelit. E cila i kishte refuzuar ankesat e institucionit publik. Lidhur me këtë çështje kishte vendosur edhe Gjykata Supreme.

Instancat më e lartë gjyqësore në vend e kishte hedhur si të palejuar revizionin (kundërshtimet e Ministrisë, me konstatime se në këto çështje nuk lejohet ushtrimi i këtij mjeti juridik.

Pasi kishin vendosur të tri instancat gjyqësore, ndërmarrja kishte kërkuar zbatimin e vendimeve. Meqë rast përmbaruesi privat më 13 tetor të 2021-es e urdhëroi ministrinë që t’i zbatojë vendimet e gjyqësore.

Më 21 tetor 2021, barrierat u rikthyen. Pas kësaj, transportuesit e mallrave në një prononcim për KALLXO.com u ankuan duke kërkuar që të krijohet një alternativë krahas Doganës – në pronë të shtetit.

Së fundmi, më 7 shkurt 2022, Ministria e Infrastrukturës njoftoi se i kanë larguar barrierat metalike që ishin të vendosura në terminalin doganor në Han të Elezit. Rrjedhimisht, sipas tyre, transportuesit e mallrave nuk do të paguajnë më 40 euro.

“Pas ankesave të shumta nga agjentët doganor, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, përkitazi Doganën e Kosovës, kanë inicuar kërkesën për zhbllokimin e rrugës nga rrethojat metalike të vendosura në rrugën e cila është pronë shoqërore, nën menaxhimin e AKP-së”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Por menjëherë pas lajmërimit të Ministrisë, transportuesit e mallrave raportuan në KALLXO.com se situata po vazhdon e njëjtë atje.

Në pjesën ku intervenuan autoritetet shtetërore transportuesit thanë se nuk kishin paguar asnjëherë. Pas kësaj, institucionet kishin punuar për të bërë një zgjidhje tjetër.

Më 4 mars, sërish Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe Ministria e Infrastrukturës nën asistencën e Policisë kanë ndërhyrë në largimin e barrierave në pronën në afërsi të pikës kufitare të Hanit të Elezit

Këtë herë u larguan barriera e betonit të cilat ishin të vendosura rresht disa metra e që në këso mënyre pamundësonin kamionët që kalonin tranzit që të shkojnë më pas për zhdoganim të mallit në cilindo tjetër terminal doganor brenda Kosovës.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) i kishte dërguar terminalit letër për lirimin vullnetar të barrierave të betonit deri më datën 28 shkurt 2022.  Më pas, zyrtarët e AKP-së kanë vizituar më 1 mars pronën përkatëse dhe nga aty kishin nxjerrë raport që “pala nuk e ka liruar vullnetarisht pronën e NSH-së nga barrierat e betonit, dhe që pala ka vendosur makineri të rëndë (bager) në pronën të cilën më parë më 7 shkurt AKP e ka liruar me asistencën e Policisë së Kosovës”.

Ndërhyrjen e AKP-së në këtë mënyrë, nga kompania “Terminali”  Sh.P.K e quajnë të parregullt, pasi thonë nuk kanë drejtë të ndërhyjnë në pronën private të tyre. Sepse siç thonë ata, institucionet shtetërore nuk po e respektojnë vendimin e tri instancave gjyqësore i kishte dhënë të drejtë kompanisë.

‘Sot AKP-ja me policinë pa asnjë dëshmi, vendim të gjykatë kanë ardhë barrierat të cilat kanë qenë të vendosura me vendim të gjykatës. Na kemi pas vendim të gjyqit edhe përmbaruesi ka dalë në vend të ngjarjes dhe i ka qit qysh kanë qenë në vitin 2014. Ky kontest ka filluar në vitin 2014 dhe ka vazhdu 7 vite deri më 2021. Ku është thirrë më pas përmbaruesi që më i qit rrethojat ku janë kanë qysh para privatizimit. Ne jemi të zhgënjyer që po ndërhyjnë në mënyrë arbitrare në pronë private duke e dëmtuar një biznes e duke favorizuar një tjetër”, thonë nga kompania.