Qeveria merr vendim për rindërtimin e shtëpive në Mitrovicë të Veriut të dëmtuara gjatë luftës

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive individuale në Mitrovicë të Veriut për familjet të cilave u janë dëmtuar shtëpitë gjatë periudhës kohore 1998-1999.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se gjatë luftës së fundit në Kosovë, janë shkaktuar dëme masive nga Serbia që vazhdojmë t’i vuajmë ende.

“Gjatë luftës së fundit vendit tonë i janë shkaktuar dëme masive nga Serbia që vazhdojmë t’i vuajmë ende. Bazuar në vlerësimin nga komisioni përkatës të shkaktuara në shtëpitë në Mitrovicë, Qeveria autorizon ministrinë që të fillojnë procedurat për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive të dëmtuara në vitet 1998-99” – tha Kurti.

Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durimishi.

“Bazuar në situatën e gjendjes faktike të familjeve në veriun e Republikës, mbi dëmet e shkaktuara e që këto familje momentalisht jetojnë me qira në Mitrovicë të Jugut dhe komuna të tjera, deri më tani kanë mbet pa përkrahje financiare për rindërtimin e këtyre shtëpive” – tha ai.

Sipas Durmishit, familjet përfituese kanë për obligim që pas rindërtimit të rifillojnë për të banuar dhe nuk e kanë të drejtën e shitjes në periudhën kohore prej 10 viteve.

“Ky vendim ka për qëllim që përmes renovimit dhe nderimit të bëhet realizimi i të drejtave pronësore e njerëzore. Familjet përfituese kanë për obligim që pas rindërtimit të rifillojnë për të banuar dhe nuk e kanë të drejtën e shitjes në periudhën kohore prej 10 viteve”- tha ai.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, në muajin gusht ka njoftuar se janë marrë të gjitha hapat për fillimin e ndërtimit të dhjetë shtëpive në veri të Kosovës.

Ministri ka thënë se ndërtimi dhe renovimi i shtëpive në veri të Kosovës ka qenë i ndarë në 3 lote.

Ai ka thënë se loti 1 përfshin ndërtimin e 10 shtëpive.

Loti 2 sipas ministrit është për ndërtimin e 11 shtëpive dhe loti 3 për renovimin e 4 shtëpive.