Foto nga një mbledhje e kaluar e Qeverisë - Foto: ZKM

Qeveria merr vendim për ndryshimin e tri ligjeve që kanë të bëjnë me Ministrinë e Mbrojtjes

Kabineti qeveritar ka marrë vendim për plotësim ndryshimin e tri pakove të ligjeve që kanë të bëjnë me Ministrinë e Mbrojtjes.

Projektligji i parë është ai për Ministrinë e Mbrojtjes.

Ministri i Mbrojtës, Armend Mehaj, ka thënë se miratimi i këtij projektligji siguron miratimin e bazës ligjore për personelin e kësaj ministrie.

“Miratimi i këtij projektligji siguron miratimin e bazës ligjore për personelin e MM. Kosova është e përcaktuar të behet pjesë e NATO, ky akte do të bëjë përafrimin e standardeve të NATO-s”, ka thënë ai.

Më këtë ligj bëhet riorganizimi dhe kalimi i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ministri të Mbrojtjes në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës me qëllim të administrimit, mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe udhëhiqet nga Ministri i Mbrojtjes.

Projektligji i dytë për të cilin qeveria ka marrë vendim për plotësim-ndryshimin është ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ministër i Mbrojtjes ka thënë se plotësim-ndryshimi është i nevojshëm për krijimin e bazës ligjore për kontrollimin e plotë demokratik nga Ministria e Mbrojtjes në FSK.

“Miratimi i këtij projektligji, respektivisht plotësim ndryshimi është i nevojshëm për krijimin e bazës ligjore për kontrollimin e plotë demokratik nga ministria e mbrojtjes në FSK, do të ketë ndikim në kthimin e standardeve për përafrim me NATO”, ka thënë Mehaj.

Ligji për FSK-në përcakton kompetencat, organizimin dhe funksionimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ndërsa, Projektligji i tretë është projektligji për shërbim në FSK.

“Miratimi i këtij projektligji synon krijimin e bazës ligjore për integrimin euroatlantik të përcaktuar në dokumente strategjike”, ka thënë ministri Mehaj.

Ky ligj rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në Forcën e Sigurisë të Kosovës.