Mbledhja e Qeverisë së Kosovës më 28 gusht 2020, Foto: ZKM

Qeveria mban mbledhjen e radhës, merr disa vendime

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, ka mbajtur sot mbledhje korresponduese\elektronike, të 67-ta me radhë, në të cilën ka marrë disa vendime.

Përmes një komunikate për media, Qeveria ka njoftuar se gjatë mbledhjes së sotme ka miratuar vendime dhe dokumente tjera sipas përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Vendimi i parë i miratuar pas shqyrtimit në mbledhjen e sotme, ka qenë vendimi për vazhdimin e mandatit të kryesuesit të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike dhe Hetues i Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike, Mirsim Beqiri dhe anëtarit të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike dhe Hetues i Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike, Arben Dika, mandati i të cilëve zgjat pesë (5) vjet.

Në vazhdim, kabineti qeveritar ka dhënë miratimin edhe për aprovimin e Planit për Implementimin e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike – Masa 15 “Mbështetje për programet ekzistuese dhe të reja që lidhen me zhvillimin rajonal përmes Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, që ndikojnë në zhvillimin rajonal të balancuar’’.

“Për këtë qëllim janë ndarë mjete buxhetore në vlerë prej 1,000,000.00 € (një milion euro), për mbështetjen e programeve ekzistuese dhe të reja, që lidhen me zhvillim rajonal dhe ndikojnë në zhvillimin rajonal të balancuar”, thuhet në komunikatë.

Qeveria po ashtu, gjatë mbledhjes së sotme, ka miratuar vendimin për rialokim të mjeteve në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal nga kategoria e shpenzimeve kapitale, konkretisht nga projekti “Programi për zhvillim rajonal”, për 2 (dy) projekte kapitale në përputhje me 2 (dy) aneks-marrëveshjet e mirëkuptimit për projekte kapitale të nënshkruara nga Ministri i Zhvillimit Rajonal dhe kryetarët e Komunave.

Mjetet e ndara do të ndahen për projektet si në vijim:

Projekti i zhvillimit socio ekonomik në komunën e Kamenicës – kanalizim në shumë prej 30,000.00 €;

Projekti i zhvillimit të turizmit në bjeshkët e Deçanit në shumë prej 155,073.15 €.

Në këtë mbledhje Qeveria ndër të tjera ka miratuar Strategjinë për Zhvillim Rajonal 2020-2030. Kjo strategji identifikon tre objektiva kryesore për arritjen e një zhvillimi të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm të rajoneve të vendit dhe për tejkalimin e dallimeve dhe pabarazive ndër-rajonale.

Objektivi i parë strategjik është koordinimi i politikave të zhvillimit rajonal përmes hartimit të legjislacionit për zhvillim të balancuar, në koordinim dhe bashkëpunim me të gjitha institucionet dhe akterët përkatës.

Objektivi i dytë është zhvillimi rajonal i balancuar dhe rajone të afta për konkurrencë ndër-rajonale, përmes zvogëlimit të dallimeve në aspektin e zhvillimit socio-ekonomik dhe ngritjes së cilësisë së jetës në rajone zhvillimore.

Objektivi i tretë strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm rajonal të bazuar në resurse natyrore, ekonomike, kulturore dhe humane përmes shfrytëzimit të resurseve natyrore dhe ekonomike që është një prej themeleve të zhvillimit ekonomik lokal dhe rajonal.

Miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme e ka marrë edhe vendimi për rialokimin e mjeteve financiare në Ministrinë e Pushtetit Lokal nga kategoria e shpenzimeve kapitale, konkretisht nga projekti “Programi komunal për zhvillim të infrastrukturës socio-ekonomike dhe bashkëpunim ndër-komunal” për realizimin e gjashtë (6) aneks-marrëveshjeve të mirëkuptimit të nënshkruara nga ministri i Pushtetit Lokal me kryetarët e komunave.

Vlera e mjeteve të rialokuara është 215,025.45 euro dhe këto mjete rialokohen në projektet si në vijim: Ndërtimi i parterit të lodrave në çerdhen e fëmijëve – Komuna e Mitrovicës së Veriut, 21,529.10 euro; Asfaltimi rrugës në Llukavc të Begut-Komuna e Istogut, 50,000 euro;
Asfaltimi i rrugëve të pa kategorizuara në Komunën e Zveçanit, 49,847.75 euro;
Ndërtimi i trotuarit në rrugën Mbreti Petar I, Komuna e Mitrovicës së Veriut, 23,885.60 euro;
Ndriçimi i rrugëve në Bashkësinë Lokale të Leposaviqit-Komuna e Leposaviqit, 19,852.90 euro; dhe ndriçimi i oborrit në SHM “M.P. Alas”- Komuna e Mitrovicës së Veriut, 49,937.90 euro.

Po ashtu, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për vazhdimin e mandatit edhe për katër (4) vjet për kryeinspektorin e Inspektoratit të Tregut, Lulzim Sylën.

“Miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme e ka marrë edhe vendimi për obligimin e të gjitha institucioneve qeveritare të cilat disponojnë të dhëna mbi çmimet e shitjeve në të gjitha transaksionet e pronave të paluajtshme, të publikojnë këto të dhëna në ueb faqet e tyre. Ky vendim është miratuar me qëllim të përmbushjes së obligimeve të marra në kuadër të treguesit 3, të programit të përkrahjes buxhetore të IPA 2019, pjesa 2, Objektivi 2, e cila ka të bëjë me transparencën në tregun e pasurive të paluajtshme për të rritur të ardhurat dhe për të luftuar informalitetin”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.