Qeveria lanson thirrjen publike për subvencionim të blerjeve të pajisjeve efiçiente për ngrohje
Ministria e Ekonomisë, më 12.09.2024, ka lansuar thirrjen publike për mbështetje për konsumatorët familjarë për investimin në pajisje efiçiente për ngrohje. Kjo thirrje është bërë në kuadër të pakos emergjente për energji dhe është mbështetur nga Komisioni Europian.
Masa për mbështetje për familje për pajisje efiçiente për ngrohje parasheh subvencionimi deri në 70% për kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), 40% për klima efiçiente dhe 30% për pompat termike.
Në hapjen e kësaj thirrjeje publike për aplikim nga qytetarët, të pranishëm ishin edhe kryeministri, Albin Kurti, dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Kryeministri Kurti përkujtoi se deri më tani në kuadër të pakos emergjente për energji të mbështetur nga Komisioni Europian kanë përfituar rreth 40 mijë familje.
“Tashmë kemi përkrahur rreth 40 mijë familje të vendit tonë, me rreth 40 milionë euro; disa prej tyre për të blerë pikërisht pajisje të këtilla për ngrohje e disa për të blerë pajisje elektro-shtëpiake; disa për t’i izoluar shtëpitë e disa për të instaluar sisteme diellore për ngrohje të ujit e prodhim të energjisë”, – ka deklaruar Kurti.
Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli njoftoi se kjo masë që është hapur sot është e 13-ta me radhë për skema të ndryshme ku qytetaret kanë pasur mundësin të marrin mbështetje nga këto subvencione.
“Është hera e 13-të që po hapim masa të tilla për skema të ndryshme, duke filluar pajisjet për ngrohje, pajisjet të tjera elektro- shtëpiake e sisteme solare e termike, izolim të shtëpive”, – ka thënë Rizvanolli.
Afati për aplikim për të përfituar nga thirrja për subvencionim për pajisje efiçiente për ngrohje do të jetë i hapur deri më 11.10.2024 dhe se aplikimi do të behët ngjashëm si për masat tjera duke aplikuar përmes platformës e-Kosova.
Ndër të tjera ministrja Rizvanolli njoftoi së mbështetja përmes këtyre masave pritet të vazhdoj edhe në të ardhmen, pasi që këto masa kanë rezultuar të jenë të suksesshme.
“Masa këto që synojmë që t’i vazhdojmë edhe në të ardhmen duke qenë së janë pritur shumë mirë nga qytetarët dhe efektet pozitive po i shohim tek qytetarët, mirëpo edhe në sistemin tonë e elektro-energjetik, ku vërejmë së konsumi mesatar për familje është duke u ulur vit pas viti”, – ka thënë Rizvanolli.
Në kuadër të pakos emergjent për energji, më 27.08.2024 ka qenë e hapur edhe thirrja për subvencionimin për termoizolimin e mureve të jashtme, termoizolimin e kulmeve dhe ndërrimin i dyerve dhe dritareve të jashtme.
Nga kjo pako do të përfitojnë 1300 familje dhe buxheti për këtë masë ka qenë 5 milionë euro.