Foto: Ilustrim

Makinat 3 Z shpenzuan 26 milion euro naftë

Qeveria në detyrë e Kosovës, para disa ditëve në një mbledhje cila është mbajtur në distancë ka votuar vendimin i cili ndalon shfrytëzimin 24 orë të veturave nga zyrtarët shtetërorë.

Vendimi parasheh që një gjë e tillë mund të bëhet vetëm me një aprovim paraprak nga institucioni përkatës.

Ditë më parë, KALLXO.com ka raportuar për sasinë e karburantit që kanë shpenzuar të gjitha institucionet e Kosovës.

Në bazë të të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave në raportin vjetor financiar të vitit 2019, institucionet qendrore dhe lokale kanë shpenzuar 8.5 milionë euro në vitin 2019 për karburant për vetura.

Ministria e Financave ka njoftuar se këto të dhëna që nuk janë ende të audituara.

Në vitin 2018 dhe 2017 janë shpenzuar më shumë para për karburantin e veturave se sa në vitin 2019. Në dy vitet, 2018 dhe 2017, institucionet kanë shpenzuar para për karburant për vetura në vlerë prej 8.7 milionë euro.

Në tri vitet e fundit, 2017, 2018 dhe 2019, institucionet lokale dhe qendrore kanë shpenzuar në total 26 milionë euro.

Vendimi i kabinetit Kurti gjithashtu parasheh që të gjitha targat civile të kthehen në targa zyrtare.

“Qeveria e ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për racionalizimin e shpenzimeve gjatë përdorimit të automjeteve zyrtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe kthimin e të gjitha targave civile në targa zyrtare. Vendimi shfuqizon të gjitha vendimet për aprovime të veçanta të përdorimit 24 orë të automjeteve zyrtare të nxjerra mbi bazën e nenit 3 paragrafi 3.3 të Udhëzimit Administrativ për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ekzekutivit kosovar.

Vendimi parasheh që veturat zyrtare mund të përdoren 24 orë nga zyrtarët e tjerë të Qeverisë, vetëm me autorizim të veçantë.

“Automjetet zyrtare mund të përdoren 24 orë në ditë nga zyrtarët tjerë të Qeverisë, vetëm në rastet e veçanta me autorizim të veçantë, ku për shkak të specifikave të punës është e domosdoshme përdorimi i automjetit zyrtar. Ky autorizim propozohet nga zyrtari kryesor administrativ dhe aprovohet nga ana e  Kryeministrit apo Ministrit të  ministrisë përkatëse. Autorizimi lëshohet për raste individuale në kohëzgjatje jo më shumë se 72 orë”, thuhet tutje në njoftim-vendimin e Qeverisë.

Nga ky vendim janë përjashtuar vetëm disa prej bartësve të posteve kyçe në institucione qeveritare.

“Sipas vendimit të aprovuar Kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, Shefi i Stafit të Kryeministrit dhe Sekretari i Përgjithshëm i ZKM-së kanë të drejtën për përdorim të automjetit zyrtar 24 orë në ditë, ndërsa zyrtarët tjerë do t’i përdorin automjetet zyrtare vetëm gjatë orarit të rregullt të punës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.