Ilustrim

Qeveria Kurti shkarkon ‘superaplikuesin’ nga Bordi i ‘InfraKos’-it

Qeveria e Kosovës sot ka shkarkuar Bordin e Ndërmarrjes Publike Hekurudhat e Kosovës “InfraKos”.

Rozeta Hajdari, ministre e Ekonomisë, i propozoi kabinetit qeveritar shkarkimin e Bordit për shkak që ata nuk kanë shkarkuar kryshefin Agron Thaçi pas ngritjes së aktakuzës nga ai.

Bordi i Ndërmarrjes “InfraKos” përbëhej nga Enver Aruqaj –Kryesues, Lundrim Camaj –anëtar, Enis Berisha – anëtar, Shkëlqim Osmanaj –anëtar, Nagip Skenderi – anëtar dhe Arben Dodaj –anëtar.

Enis Berisha ishte emëruar drejtor në Bordin e Ndërmarrjes Publike Hekurudhat e Kosovës “InfraKos” në mbledhjen e Qeverisë Haradinaj, të mbajtur më 2 prill të vitit 2019.

Berisha ishte emëruar në këtë pozitë disa ditë pasi ish-ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell e kishte ngritur si shqetësim mos emërimin e tij.

Në konferencën për projektin e rekrutimit të zyrtarëve në pozitat e larta, të mbajtur nga BIRN së bashku me Ambasadën britanike, më 18 mars 2019, O’Connell kishte treguar se Enis Berisha ishte njëri ndër kandidatët që kishte aplikuar shtatë herë nëpër pozita të larta por asnjëherë nuk ishte emëruar. Berisha nuk ishte emëruar as nga Kuvendi e as nga Qeveria.

“Ambasada britanike merr shumë letra ankese nga personat që kanë marrë mundin që të aplikojnë për pozita të ndryshme e që janë vlerësuar mirë nga projekti por të cilët nuk arrijnë të emërohen. Rasti konkret, që na është dhënë leja me përdor emrin e tij, Enis Berisha i cili deri më tani ka aplikuar dhe është vlerësuar mirë në shtatë procese madje në disa procese i ranguar si kandidati me më së shumti pikë por i cili kurrë nuk është emëruar, as nga Kuvendi, as nga Qeveria”, kishte deklaruar ish-ambasadori O’Connell në konferencë.

O’Connell në konferencën për projektin e rekrutimit të zyrtarëve në pozitat e larta kishte deklaruar se e meta e vetme e Enis Berishës dhe rasteve si ai është se nuk kanë lidhje politike.

“Rasti i Enisit nuk është rasti i vetëm, e meta e tyre është se nuk kanë lidhje politike. Duhet të jetë e rëndë të jesh profesionist dhe fitues i garës dhe mos të vlerësohesh nga vet shteti yt”, kishte shtuar O’Connell.

Berisha është magjistër i shkencave teknike në inxhinieri mekanike dhe transport, e po ashtu kandidat për doktorant në Teknologji Informative.

E nga ana tjetër ai ka treguar se ka 16 vjet përvojë pune. Berisha për 6 vite ka qenë kryeshef ekzekutiv në Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave.

 

Misioni i pamundur i njeriut me superpërvojë për të gjetur punë në Kosovë