
Qeveria Kurti emëroi anëtar bordi njeriun me masa disiplinore
I emëruari i Qeverisë Kurti në bordin e Postës së Kosovës, Kujtim Shala, ka pasur problem me punën e tij gjatë kohës kur ishte pjesë e s stafit të IT-së në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
KALLXO.com ka arritur të sigurojë informacione se Shala ishte ndëshkuar në procedurë disiplinore pasi komisioni disiplinor kishte konstatuar parregullsi në punën e tij. Kjo e kaluar nuk është paraqitur në CV-në e Shalës kur emri i tij është dorëzuar në qeveri.
Në dosjen e tij në ministri figuron se Shala ishte pezulluar nga puna për dy muaj e më pas paga e tij ishte zvogëluar për 3 muaj pasi komisioni kishte konstatuar shkelje gjatë punës.
Informacioni është konfirmuar edhe nga zëdhënsi i Ministrisë së Mbrojtjes Ibrahim Shala.
“Në të kaluarën, Kujtim Shala nga Bordi Disiplinor i ministrisë, më saktë me 17.05.2013, ka marrë masë sanksionuse, pezullim i ushtrimit të detyrës për dy muaj dhe me ndalimin e 1/3 së pagës mujore”, thuhet në konfirmimin e zyrës për media.
Kujtim Shala u emërua nga qeveria në detyrë më 2 prill si anëtar i bordit në Ndërmarrjen Publike “Posta e Kosovës”.
Në një bisedë për KALLXO.com, vet Shala e ka pranuar se ka qenë i suspenduar në vitin 2013.
“Po, ëshë e saktë që kam qenë i suspenduar”, ka thënë Shala.
KALLXO.com ka kontaktuar për të marrë përgjigje në zyrën për media në qeverinë e Kosovës dhe në Ministrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, por ende nuk janë përgjigjur. Përgjigje nuk kanë ofruar as zyrtarët nga kabineti i kryeministrit Albin Kurti.
Ndërsa, Shala ka shpjeguar rastin se pse është suspenduar.
“Sipas një urdhri gojor të ish-shefit tim, në 2013, i cili e potencon në deklaratën e tij gjatë kësaj faze, kam pasur një detyrë për me shku me pranu disa tonerë për printera që nuk kanë qenë menaxher kontrate për shkakun që menaxheri i kontratës ka qenë në pushim vjetor me gjasë. Pra, për shkakun që menaxheri i kontratës ka qenë në pushim vjetor, shefi i im drejtpërdrejt më ka thënë për pranimin e materialit, në këtë rast tonerave. Unë nuk e kam ditë që nuk kam të drejtë pa ma shkruar me e-mail një detyrë, unë i kam besu vetëm fjalës, kam shku kam raportu, kanë pranu, gjithçka në rregull”, tha ai.
Kujtim Shala ka thënë se suspendimi i tij nuk paraqet ndonjë problem për emërimin e tij në bordin e Postës së Kosovës.
Sipas tij, ai nuk e kishte ditur se nuk mund të pranonte material pa aprovimin me shkrim nga eprorët.
“Kanë ardhë Inspektoriati një ditë më vonë, me pretendimin disa parregullsi sipas tyre. U formua një komision disiplinor, është vërtetuar që nuk ka pasur keqpërdorime të tilla përveç çështjes që unë e kam pranu pa qenë menaxher, po unë e kam si dëshmi deklaratën e shefit që më obligon me shku me pranu”, thotë Shala.
“Në aspektin material nuk pasur asnjë dëmtim institucioni”, ka deklaruar ai.
I pyetur se e ka prezantuar në CV-në kur e ka paraqitur për tu bërë pjesë e bordit të Postës, ai tha se nuk e ka parë të nevojshme një gjë të tillë.
“Jo, nuk e kam paraqitur në CV sepse kjo nuk kërkohet, kjo ka qenë një masë e brendshme që mbetet brenda nuk ka kaluar kurrfarë gjykate sepse s’ka pasur dëme materiale. Absolutisht nuk e besoj që mund të jetë problem që unë të jem anëtar bordi për shkak të kësaj, nuk besoj që ka ndonjë problem. Përkundrazi, kjo ka qenë që 7 vite, është shumë e moçme që nuk më pengon kurrgjë”, ka deklaruar Kujtim Shala.
Edhe një anëtar tjetër i LVV-së emërohet në Bordin e përkohshëm të Infrakosit
www.kallxo.com