Qeveria Kurti e la pa punë edhe sekretarin e emëruar nga Hashim Thaçi në vitin 2011
Arben Çitaku, që deri sot ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, sot nga qeveria e Albin Kurtit u la në pozitën tepricë, bashkë me disa sekretarë tjerë të disa ministrive të ndryshme.
Kryeministri Kurti ka thënë se sekretarët e ministrive të prekur nga ky riorganizim do të kalojnë në listën tepricë dhe do të trajtohen sipas ligjeve në fuqi.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që sekretari i deritanishëm i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Izedin Bytyqi të emërohet sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku. Rrjedhimisht dy sekretarët, Arben Çitaku i ministrisë së mjedisit dhe Planifikimit hapësinor e Betim Reçica ish-sekretar i ministrisë së infrastrukturës kanë mbetur pa vend të punës.
Arben Çitaku ishte emëruar në këtë pozitë në kohën sa Hashim Thaçi ka qenë kryeministër, me 6 korrik të vitit 2011.
Pozita e Sekretarit të Përgjithshëm, është pozita më e lartë drejtuese në Ministri, me status të shërbyesit civil, i cili udhëheq me punën e departamenteve, zyrave dhe njësive institucionale. Sekretari i Përgjithshëm i përgjigjet drejtpërdrejt Ministrit.
Gjatë kohës që Arben Çitaku ka qenë Sekretar, Ministria e Mjedisit është njohur për disa ‘skandale’.
Një vendim kundërthënës ishte marrë në shtator të vitit të kaluar nga Ministria e Mjedisit, ku ish-ministri Fatmir Matoshi, kishte vendosur ta heqë bllokadën për hidrocentrale.
Sekretari i MMPH-së, Arben Çitaku me 6 shtator të vitit 2019, kishte kërkuar nga ministri Matoshi që ta zhbllokojë këtë proces, duke thënë se marrëveshja në të cilën ishte thirrur ish-ministrja Albena Rashitaj, tashmë nuk është në fuqi, pas shpërbërjes së parlamentit.
Një tjetër ‘skandal’ ishte tentuar të bëhej në kohën e sekretarit Çitaku. Ai në draft-ligjin e ri për ujërat kishte paraparë shuarjen e Këshillin Ndërministror të Ujërave, i cili mbështetet nga ambasadat e huaja dhe është funksional që nga viti 2013.
Kjo tentativë i kishte alarmuar ambasadat që deri tash e kanë mbështetur këtë këshill. Sekretarit të Përgjithshëm të MMPH, Arben Çitakut me datën 25 shtator të vitit 2019, i ka shkuar një letër nga Ambasadat e Zvicrës, Suedisë, Francës dhe Gjermanisë dhe nga Bashkimi Evropian, zyra në Kosovë, të cilët e kanë shprehur shqetësimin rreth tentativës së ministrisë për shuarjen e Këshillin Ndërministror të Ujërave.
Sa ishte Arben Çitaku Sekretar i MMPH-së, kjo ministri kishte blerë një softuer prej 500 mijë eruove, për të menaxhuar më lehtë çështjen e shpronësimeve. Që nga viti 2013 kur është blerë, ky softuer asnjëherë nuk është funksionalizuar dhe punëtorët e ministrisë vazhdojnë që regjistrimet e të dhënave për shpronësime, t’i bëjnë në formatin ‘Excel’.
Një analizë të bërë nga KALLXO.com të katër raporteve të fundit të auditimit ka gjetur se kjo ministri kishte dobësi të vazhdueshme në prokurim.
Dobësi kishte edhe në operim të operatorëve pa licencë, realizim të pagesave në mungesë të raporteve të pranimit të punëve/shërbimeve, kompensimet për shtesat për punë jashtë orarit si dhe klasifikim jo të duhur të shpenzimeve. Kjo ministri u ballafaqua edhe me, mungesë të lejeve të ndërtimit në projektet që vetë i ka financuar, vonesa në realizimin e projekteve dhe skadim të sigurisë së ekzekutimit të kontratës, angazhoi punëtorë me kontrata për shërbime të veçanta dhe ushtrues detyre për periudhë më të gjatë se tre muaj.
MMPH gjatë katër viteve të fundit, kishte aplikuar pagesa dhe koeficientë të ndryshëm për pozita të njëjta, kishte mungesë të dëshmive për vijimin në punë të punësuarve, ushtrim të detyrës përtej afatit ligjor, e të tjera parregullësi që u evidentuan nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Ministria e Mjedisit, dobësi në prokurim e punësime