Qeveria e Kosovës

Qeveria kthen në fuqi 7 udhëzime administrative

Kabineti qeveritar në mbledhjen e mbajtur sot ka marrë vendim për kthimin në fuqi të 7 udhëzimeve administrative, të cilat i kishte shfuqizuar muaj më parë.

“Me ndryshimet dhe plotësimet e këtij vendimi, me qëllim të shmangies së vakuumit juridik, mbesin në fuqi deri në nxjerrjen e akteve të reja nënligjore apo plotësim/ndryshimet eventuale të legjislacionit primar”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Udhëzimi i parë i cili është kthyer në fuqi është udhëzimi administrativ i MMPHI nr.11/2014 për themelimin, zgjedhjen, përgjegjësitë dhe funksionimin e këshillit për fshatin Hoçë e Madhe.

Ky udhëzim përcakton përbërjen, kushtet, mënyrën e zgjedhjes dhe funksionimit të këshillit për fshatin Hoçë e Madhe.

Pastaj udhëzimi administrativ nr.03/2013 për Këshillin zbatues dhe monitorues, i cili vendos rregullat për përbërjen, detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit.

Qeveria po ashtu ka marrë vendim që në fuqi të mbetet udhëzimi administrativ për themelimin, zgjedhjen, përgjegjësitë dhe funksionimin e Këshillit për trashëgiminë kulturore të Prizrenit dhe të Zyrës së Qendrës Historike të Prizrenit.

Ky udhëzim përcakton përbërjen, kushtet, mënyrën e zgjedhjes dhe funksionimit të Këshillit të trashëgimisë kulturore.

Në fuqi po ashtu sipas vendimit kthehet edhe udhëzimi administrativ 10/2011 për regjistrimin dhe licencimin e profesionistëve shëndetësorë, me të cilin rregullohet organizimi dhe mënyra e zbatimit të regjistrimit dhe licensimit të profesionistëve shëndetësorë.

Edhe udhëzimi administrativ 12/2013 për vendosjen e banderolave në produktet medicinale është kthyer në fuqi sot.

Ky udhëzim rregullon vendosjen e banderolës në produkte medicinale për qarkullim në sektorin farmaceutik privat dhe publik.

Qeveria po ashtu ka kthyer në fuqi udhëzimin administrativ 15/2003 për pagesat e ekspertëve profesionalë dhe komisioneve profesionale i cili ka për qëllim krijimin e mekanizmave të financimit me qëllim të krijimit të një sistemi të qëndrueshëm të zhvillimit profesional të mësimdhënësve.

Udhëzimi i fundit administrativ të cilin Qeveria e ktheu në fuqi është ai për qarkulluesit me shumicë për produktet dhe pajisjet medicinale.

Me këtë udhëzim përcaktohen kushtet të cilat duhet t’i përcaktojnë subjektet për kryerje të veprimtarisë së qarkullimit me shumicë të produkteve dhe pajisjeve medicinale.