Forca e Sigurisë së Kosovës. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Qeveria kërkon nga Kuvendi miratimin e vendimit për të dërguar ushtarë të FSK-së në Ishujt Falkland

Qeveria e Kosovës ka propozuar që Kuvendi të miratojë vendimin për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ishujt Falkland.

Misioni i FSK-së do të jetë në mbështetje të paqes në Ishujt Falkland dhe gjatë këtij misioni do t’i nënshtrohet marrëveshjes së nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar, ka njoftuar Qeveria.

Sipas propozimit të Qeverisë, në këtë mision do të dërgohen deri në shtatë pjesëtarë të FSK-së dhe ky mision mund të zgjasë deri në tre vite me mundësi vazhdimi.

“FSK në këtë mision do të jetë nën komandën e Forcave të Armatosura të shtetit pritës dhe financiarisht mbulohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftim.

Qeveria këtë vendim e ka marrë sot në mbledhjen e mbajtur në formë elektronike.

Qeveria në mbledhjen e mbajtur të martën ka miratuar gjashtë vendime, në mesin e tyre ndarjen e mjeteve për shtesat prej 100 euro për punëtorët e ndërmarrjeve publike dhe për studentët, dhe vendimin për zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje në shumën mbi gjashtë milionë euro, kërkesën për aprovimin e ndarjes së mjeteve buxhetore për mbulimin e mungesës së mjeteve në kategorinë e shpenzimeve “Paga dhe Shtesa” për muajin nëntor 2022 dhe plotësim dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë të datës 14 shtator 2022, për të reflektuar ndryshimet e nevojshme për realizimin e pagave të specializantëve.