Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Qeveria kërkon ekspert në "luftën e arbitrazhit" me Devollin

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka propozuar që të iniciohet gjetja e një eksperti financiar për hartimin e ekspertizës në rastin ‘ICC Case – Devolli’ në Arbitrazhin Ndërkombëtar.

Ky propozim mori miratimin e kabinetit qeveritar të cilët votuan për, me përjashtim të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq i cili ka abstenuar.

“Në momentin që e kemi pranuar detyrën, për shkak të rrethanave të para, jemi përballur me situata emergjente. Andaj duhet të punojmë sa më shpejtë. Në linjë me këtë, propozoj para jush që ta shqyrtoni inicimin e Ministrisë së Drejtësisë për gjetjen e një eksperti financiar për hartimin e ekspertizës në rastin ‘ICC Case – Devolli’ në Arbitrazhin Ndërkombëtar. Afati i fundit për dorëzimin e ekspertizës është me 30 prill”, tha ajo.

Haxhiu shtoi se për shkak të kohës së kufizuar, MD-ja do të anashkalojë procedurat e prokurimit, “pa publikim të njoftimit dhe me kontratë të negociuar, sepse procedurat zgjasin dhe e kalojnë dhe kalojnë afatin 30 ditor që e kemi”.