Foto: ZKM

Qeveria: Kancelari austriak jep mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën   

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është mirëpritur në rezidencën e Kancelarisë Federale të Austrisë nga Kancelari i Austrisë, Alexander Schallenberg, me të cilin ka zhvilluar takim bilateral.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se në këtë takim, kancelari austriak dha mbështetjen e tij të plotë në lidhje me liberalizimin e vizave dhe tha se Austria i qëndron pranë Kosovës dhe e mbështetë atë në procesin e integrimeve evropiane.

Qeveria ka theksuar se “sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës sot janë bërë 3 vjet, 4 muaj e 5 ditë qëkur Komisioni Evropian ka rekomanduar për herën e dytë liberalizmin e vizave”.

Tutje thuhet se në këtë takim u diskutua për mundësitë e rritjes së investimeve austriake në Kosovë dhe u dakordua që në shërbim të kësaj gjatë vitit të ardhshëm të organizohet Samiti Ekonomik në Kosovë.

Sa i përket procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kurti thuhet se ritheksoi angazhimin e Qeverisë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që në qendër të saj ka njohjen reciproke dhe nga e cila përfitojnë popujt dhe qytetarët e dy vendeve.