Ilustrim

Qeveria ka ndarë 3 milionë euro për projektin e efiçiencë së energjisë në shkolla e shtëpi të shëndetit

Ministria e Ekonomisë do të transferojë një milion euro për mbështetje të Fondit Kosovar për Efiçiencë të Energjisë për përmirësim të masave të efiçiencës në shkolla fillore dhe të mesme, ndërtesa të mjekësisë familjare dhe objekte tjera komunale.

Në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë thuhet se projekti në total kap shumën prej 18 milionë eurove investime dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore. Qeveria e Kosovës për këtë projekt ka ndarë dhe kontribuar me 3 milionë euro.

Fondi është institucion publik që i përgjigjet Qeverisë së Kosovës dhe ka mision përmirësimin e masave të efiçiencës së energjisë, duke përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës.

Ministrja Rizvanolli ritheksoj mbështetjen për arritjen e objektivave dhe kërkoi nga Fondi që të përshpejtohen investimet në Komuna duke siguruar rritje të komfortit në shkolla dhe shtëpi të shëndetit anekënd Kosovës.

“Në takim u diskutua për zhvillimin e mëtutjeshëm mbi modalitetet e financimit në sektori e efiçiencës së energjisë duke mbuluar sektorët rezidencial dhe sektorin privat. Palët u dakorduan që efiçienca e energjisë duhet të ketë rol të rëndësishëm në transformimin energjetik të Kosovës që do të parashihet në Strategji të Energjisë”, përfundon komunikata e ME.