Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria jep detaje për takimin e sotëm të Brukselit për çështjen e targave

Pas takimit të sotëm të grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për çështjen e targave të automjeteve, Qeveria e Kosoves ka dhënë detaje rreth takimit.

Sipas Qeverisë, zgjidhja për temën e targave duhet të bazohet në standardet dhe praktikat aktuale më të mira të Bashkimit Evropian dhe çfarëdo ndryshimi potencial duhet të vlejë dhe të ndërmerret nga të dy palët.

“Takimi i parë i grupeve punuese në nivel të ekspertëve për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë u zhvillua sot, në Bruksel.  Në këtë takim u bisedua për planin e takimeve të rregullta ndërmjet gupeve punuese të ekspertëve në muajt e ardhshëm, që kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhje përfundimtare dhe të përhershme për këtë çështje, bazuar në dy parime themelore: zgjidhja të bazohet në standardet dhe praktikat aktuale më të mira të Bashkimit Evropian, dhe çfarëdo ndryshimi potencial duhet të vlejë dhe të ndërmerret nga të dy palët”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Ky takim bazohet në marrëveshjen e arritur më 30 shtator 2021, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, sipas së cilës, është formuar grupi punues, që brenda gjashtë muajsh të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e lirisë së lëvizjes.

Pas gati dy javësh bllokim të pikave kufitare Kosovë-Serbi në Bërnjak dhe Jarinje, ishte arritur një marrëveshje në mes palëve rreth çështjes së targave të veturave, dhe sipas kësaj marrëveshjeje, palët brenda periudhës gjashtë mujore duhet të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për përdorimin e targave të automjeteve të të dyja vendeve.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR nga e shtuna më 2 tetor nisi të zëvendësojë Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës dhe qëndroi aty për dy javë pranë pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Po në këtë ditë, u larguan edhe kamionët që kishin bllokuar rrugët dhe qytetarët serbë që protestonin kundër masave të reja të Qeverise së Kosovës, për reciprocitet në aplikimin e targave ndërshtetërore.

Ndërkaq nga 4 tetori, filloi përdorimi i stikerave/afisheve në vetura.

Më 20 shtator 2021 Kosova filloi reciprocitetin e targave ndaj Serbisë. Ky vendim ngjalli reagimin e serbëve që protestuan duke bllokuar rrugët.