Qeveria: Jemi të shqetësuar nga pamjet e dhunës gjatë aksionit të PSD-së

Qeveria e Kosovës përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka reaguar ndaj arrestimeve të aktivistëve të PSD-së, gjatë ditës së sotme.

Qeveria ka thënë se beson në të drejtën për protestë demokratike, sepse sipas tyre, ajo para se gjithash është një e drejtë e patjetërsueshme që garantohet në shoqërinë demokratike.

Në reagim, Qeveria ka thënë se është shqetësuar nga pamjet e dhunës sot gjatë aksionit të PSD-së.

“Policia e Kosovës ka përgjegjësinë për ruajtjen e rendit, qetësinë publike dhe mbrojtjen e pronës, duke respektuar të drejtat e njeriut. Përgjegjësi për operacionin e policisë tashmë është suspenduar, kurse Inspektoriati Policor i Kosovës po vazhdon hetimet e mëtutjeshme lidhur me rastin. Në qeverisjen demokratike nuk ka vend për dhunë nga askush”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.

Aktivistët e Partisë Socialdemokrate (PSD) janë arrestuar sot gjatë aksionit të tyre për të kundërshtuar marrëveshjen për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.

PSD përmes rrjetit social “Facebook” ka kërkuar urgjentisht që aktivistet e aktivistët Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Nol Nushi, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti, Frashër Krasniqi, Ali Krasniqi dhe Korab Korça të lirohen menjëherë.

Arrestohen tetë aktivistë të PSD-së (FOTO)