Arkiv - Vërshimet në Vushtrri - Janar 2021 - Foto: KALLXO.com

Qeveria: Institucionet për menaxhimin e emergjencave janë në gjendje gatishmërie pas reshjeve të shumta

Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media ka thënë se të gjitha institucionet për menaxhimin e emergjencave janë në gjendje gatishmërie pas reshjeve të shumta atmosferike në gjithë vendin.

Sipas kësaj komunikate, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti është njoftuar nga Qendra e Situatave – Këshilli i Sigurisë së Kosovës, se nga reshjet e vazhdueshme atmosferike në pjesë të caktuara të vendit situata mund të përkeqësohet me mundësi të vërshimeve.

Sipas të dhënave nga kjo Qendër, në autostradën Pejë – Prishtinë, afër rrethrrotullimi tek aeroporti, ka filluar të ngritët niveli i ujit, por megjithatë autostrada është e kalueshme.

“Njësitet e Policisë janë në vendin e ngjarjes në fshatin Kuzmin, ku rruga  është e pakalueshme, niveli i ujit është në rritje dhe mund të rrezikohen disa shtëpi. Në Volljakë tek Guri i zi, restorantet janë përmbytur nga uji i Drinit të Bardhë dhe lumi Mirusha”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa në zonën e Malishevës të gjitha rrugët janë të kalueshme, por me vëshitrësi.

Sipas komunikatës, të gjitha institucionet relevante janë duke e përcjellë nga afër situatën, përfshirë këtu Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Shtabet Lokale, Policinë dhe FSK-në.