Qeveria ia kthen KOSTT-it dividendën prej 20 milionë euro

Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim që t’i kthejë ndërmarrjes publike KOSTT dividendën prej 20 milionë euro, pas kërkesës së kësaj të fundit drejtuar ekzekutivit.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se paratë që do kthehen si dividendë në KOSTT kanë për qëllim të ndihmojnë likuiditetin e sektorit energjetik.

“Kemi miratuar një vendim për kthim të dividendës ndaj ndërmarrjes KOSTT, që shënon hap tjetër pas atij për ndarjen e 20 milionë eurove për KEK-un. Kësaj here po bëjmë kthimin e një shume të ngjashme në ndërmarrjen KOSTT, që të ndihmohet likuiditeti i sektorit energjetik në vend, marrë parasysh që për shkak të rritjes së importit dhe dhe çmimeve në treg, sektori energjetik po përjeton krizë sa i përket likuiditetit të mjeteve”, ka thënë Murati.