Qeveria ia dërgon Kuvendit për votim emrat e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme i ka propozuar Kuvendit të Kosovës anëtarët për Këshillin Kombëtar të Shkencës.

Mandati i Këshillit ka skaduar para 10 ditësh dhe prej atëherë ai është jofunksional, andaj për kryeministrin Albin Kurti është shumë e rëndësishme të rifunksionalizohet ai.

Këshilli Kombëtar i Shkencës përbëhet prej 15 anëtarëve, me mandat 4-vjeçar dhe anëtarët e propozuar janë: Fetah Podvorica, Mihone Kerolli – Mustafa, Ardian Gojani, Myzafere Krasniqi-Limani, Ardian Morina, Zanfina Ademi, Fisnik Kurshumliu, Bajram Berisha, Hysen Bytyqi, Aliriza Arenliu, Gazmend Qorraj, Armend Tahirsylaj, Sevran Kervan, Majlinda Bregasi, Arbnora Dushi.

Ministria e Arsimit kishte hapur konkurs për nominim të këtyre anëtarëve në prill të këtij viti.

Këshilli Kombëtar i Shkencës është trup profesional i themeluar nga Kuvendi i Kosovës që përkujdeset për zhvillimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore dhe teknologjike në Republikën e Kosovës.

Bazuar në Ligjin për veprimtari kërkimore-shkencore, të drejtën e nominimit të anëtarëve e kanë institucionet shkencore si: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Universitetet, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe institucionet tjera kërkimore -shkencore dhe të arsimit të lartë.