Qeveria i tregon arsyet e shkarkimit të dy anëtarëve të Bordit të Telekomit

Refuzimi për diskutuar rreth përgjegjësisë së menaxhmentit të Telekomit në humbjet financiare dhe rritjen e borxhit është arsyeja e shkarkimit të dy anëtarëve të bordit të Telekomit nga Qeveria Kurti.

Anëtarët e bordit të Telekomit, Teki Shala dhe Luljeta Elezaj, janë shkarkuar nga Qeveria Kurti e cila e kishte emëruar vet në këtë pozitë pak më shumë se një muaj më parë.

Vendimi i Qeverisë Kurti për shkarkimin e dy anëtarëve të Bordit ka ardhur me propozim të ministres në detyrë të Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

Një nga arsyet kryesore që është përmend nga ministrja Hajdari ka qenë refuzimi i dy anëtarëve të bordit për tu adresuar çështje kyçe që lidhjen me përgjegjësinë për humbjet e thelluara dhe likuiditetin e cenuar të ndërmarrjes.

“Gjatë vitit 2019, humbjet e Telekomit janë shtuar mbi 50 për qind, dhe detyrimet janë rritur për 16,3 milionë euro. Në 5-6 muajt e fundit, ndërmarrja nuk ka paguar me rregull as rrogat e punëtorëve. Gjendja ka qenë e rëndë, ndërsa pandemia e ka rënduar më fort”, theksohet në propozim e ministres Hajdari, që është publikuar nga Qeveria e Kosovës.

Por sipas këtij propozimi, në mbledhjen e Bordit të përkohshëm të 21 prillit, dy drejtorët Shala dhe Elezaj kanë kundërshtuar diskutimin në lidhje me menaxhmentin e Telekomit të Kosovës me pretendimin se duhet pritur.

“Por dy nga katër drejtorët jo ekzekutivë në bord nuk kanë qenë gati të adresojnë përgjegjësinë për këtë gjendje. Në mbledhjen e 21 prillit 2020, kryesuesi i Bordit ka propozuar si pikë të rendit të ditës “Diskutim rreth zyrtarëve të lartë të TK-së të cilët kanë ndikim direkt në performancën e TK. Dy drejtorët, Teki Shala dhe Luljeta Elezaj, kanë kundërshtuar këtë pikë, me pretendimin se duhet pritur ca”, vazhdon arsyetimi për shkarkim.

Në këtë propozim Shala citohet të ketë thënë se “duhet të diskutohet në rrethana pak më tjera, menjëherë pasi të fillojë jeta dhe puna pas pandemisë”, dhe ka propozuar që diskutimi “të shtyhet deri sa Qeveria të merr masa të ardhshme lehtësuese për lëvizje”.

Kurse Elezaj citohet të ketë arsyetuar shtyrjen “deri sa të krijohen kushtet për diskutim”.

“Ajo ka kërkuar “që të presim një raport të auditimit dhe që të shtyhet kjo pikë deri sa të qetësohet gjendja”, ani pse raportet financiare janë të mjaftueshme për të vlerësuar gjendjen dhe për të marrë vendime. Mendimit të tyre u është bashkëngjitur kryeshefi, si drejtor i pesë dhe i vetmi ekzekutiv në bord. Asnjëri nuk ka paraqitur alternativë për të shpëtuar ndërmarrjen”, ka shtuar Elezaj.

Me këtë qasje sipas ministres Hajdari, dy drejtorët Shala e Elezaj kanë treguar se nuk janë gati për të adresuar përgjegjësinë për gjendjen.

“Kjo mosgatishmëri i jep aksionarit arsye për të besuar se dy drejtorët nuk po veprojnë në interesin më të mirë të ndërmarrjes, pra po shkelim detyrat fidiciare”, theksohet në këtë propozim për shkarkim.

Ministrja ka thënë se qeveria ka të drejtë të shkarkojë anëtarët e bordit nëse beson se mund të jenë shkelur detyrat fiduciare me mosgatishmërinë e tyre.

“Nëse anksionarët kanë arsye për të besuar se ka mundësi që një drejtor të ketë bërë shkeljen e detyrave fiduciare, ata menjëherë do ta shkarkojnë dhe zëvendësojnë drejtorin dhe drejtorët të cilët me arsye besohet se kanë bërë shkeljen e detyrave të tyre fiduciare, edhe në mungesë të provave të qarta, pavarësisht nga rreziku që mund të paraqesë për NP-në ngritja e një padie nga ana e drejtorit/ëve të shkarkuar”, thuhet në propozimin e ministres në detyrë Hajdari.

Detyrat fiduciare përfshijnë detyrimin për të vepruar në interesin më të mirë të ndërmarrjes dhe aksionarit, ashtu siç parashihet edhe me Kodin e etikës dhe të qeverisjes korporatave të ndërmarrjeve publike.

Teki Shala ka thënë për KALLXO.com se njëra ndër arsyet që ka çuar në shkarkim ka qenë refuzimi i kërkesës së ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari për shkarkim të menaxhmentit të Telekomit të Kosovës pa pasur arsye.

Teki Shala ka shtuar se të njëjtit janë ‘kërcënuar’ me shkarkim nëse nuk e plotësojnë këtë kërkesë.

“Po besoj që ky shkarkim ka ardhur si rezultat se të premten e kaluar ministrja Hajdari na ka thirrë në një takim në kabinetin e saj dhe ka kërku që menaxhmenti i Telekomit të shkarkohet pa asnjë arsye të vetme përndryshe ose shkarkoheni ju”, ka thënë Shala për KALLXO.com.

Më tej ai ka thënë se Bordi nuk ka refuzuar të shkarkojë menaxhmentin e Telekomit të Kosovës por që si pikë e kanë shtyrë për një mbledhje tjetër në mënyrë që të marrin arsye për shkarkimin e tyre.

“Ne nuk kemi refuzu, ne kemi kërku që në një mbledhje të ardhshme të kemi informacion arsyen se pse duhet ta shkarkojmë menaxhmentin, për shkak se në mbledhjen e fundit që i kemi mbajtë të martën, kemi kërku që të shtyhet kjo pikë e rendit të ditës për një mbledhje tjetër, vetëm kjo ka qenë arsye, jo tjetër. Me shumicë votash, 3 me 2, është shty për një mbledhje tjetër”, ka theksuar Shala.

Arsyeja tjetër për shkarkim sipas Teki Shalës është që ai nuk është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“E vetmja arsye është që nuk jemi pjesë e tyre, tash për shkak të këtyre zhvillimeve politike që po ndodhin në Kosovë edhe pse nuk jemi pjesë e Vetëvendosjes, s’duhet të punojmë aty”, është shprehur Shala.