Qeveria e Kosovës

Qeveria i kthen disa prona te AKP-ja nga komunat

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të shfuqizohet vendimi i marrë në kohën e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Përmes këtij vendimi janë tërhequr nga procesi i privatizimit dhe është bërë kthimi i pronave te Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), të cilat iu ishin dhënë komunave: Gjilan, Ferizaj, Suharekë, Skenderaj, Deçan, Junik dhe Hani i Elezit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës me datën 6 korrik 2018 ka miratuar këto vendime: Vendimi Nr.05/55 i Komunës së Gjilanit, Vendimi Nr. 06/55 i Komunës së Ferizajt, Vendimi Nr. 07/55 i Komunës së Suharekës, Vendimi Nr. 08/55 i Komunës së Skenderajt, Vendimi Nr. 09/55 i Komunës së Deçanit, Vendimi Nr. 10/55 i Komunës së Junikut, dhe  Vendimi Nr. 11/55 i Komunës së Hanit të Elezit”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se këto vendime nuk kanë mundur të zbatohen, dhe në vitin 2021 kanë pësuar ndryshimet ligjore.

“Përkatësisht Ligji Nr.06/L-092 ka shfuqizuar Ligjin Nr.04/L-144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës. Shfuqizimi i vendimeve të lartcekura bëhet në përputhje me nenin 57 të Ligjit Nr.05/L-031 Procedurën e Përgjithshme Administrative”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.