Foto: ZKM

Qeveria dedikon mbi 13.8 milionë euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore

Qeveria e Kosovës i ka dedikuar 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Shuma prej 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025 është dedikuar në kuadër të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 14.08.2024.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 14.08.2024, fillimisht është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Arsimit për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 7,375,138 euro për subvencionimin e blerjes së teksteve dhe materialeve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.

Pastaj janë ndarë edhe 6.5 milionë euro në kuadër të masës 4.2 – Mbështetja e Arsimit, të Pakos së Ringjalljes ekonomike, për subvencionimin e materialeve dhe teksteve shkollore.

Sipas Përparim Kryeziut, dedikimi i mjeteve për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore në mbledhjen e Qeverisë më 14.08.2024 është bërë në dy vendime të ndara.

“Pra janë dy vendime të ndara. Me vendimin e parë është aprovuar kërkesa e MAShTI-t përmes MFPT-së (Ministrisë së Financave) për transfer të brendshëm buxhetor në vlerë 7,375,138 euro për subvencionim të teksteve dhe materialeve shkollore. Pastaj është marrë vendimi tjetër i veçantë me të cilin janë ndarë edhe 6.5 milionë euro shtesë nga Pako e Ringjalljes ekonomike për qëllime të njëjta, pra subvencionim të teksteve dhe materialeve shkollore” – ka thënë Kryeziu për KALLXO.com, më 15.08.2024.

I pyetur nga KALLXO.com se në bazë të këtyre dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës a janë ndarë 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së teksteve dhe materialeve mësimore, Kryeziu ka pohuar se aq mjete janë dedikuar.

“Janë dediku aq. Teknikisht nuk mundemi me thënë janë ‘ndarë’ sepse vendimi i parë është transfer i brendshëm” – ka theksuar Kryeziu.

Ndërsa, kryeministri Kurti në fillim të mbledhjes së Qeverisë, paralajmëroi se do të ndahen 6.5 milionë euro për të kompletuar shumën për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore.

“Për Arsim do të ndajmë 6.5 milionë euro për të kompletuar shumën e nevojshme për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore. Pra, edhe këtë vit do të subvencionojmë tesktet mësimore për nxënësit e shkollave” – tha kryeministri Kurti, më 14.08.2024.

Për mjetet që u ndanë në kuadër të Pakos së Ringjalljes ekonomike, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se mjetet merren nga kategoria subvencione dhe transfere në këtë pako dhe transferohen në ministritë përkatëse.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci më 13.08.2024 në një konferencë për media ka deklaruar se edhe këtë vit shkollor do të subvencionohet blerja e librave ngjashëm si në vitin e kaluar shkollor, 2023/2024.

“Edhe sivjet tekstet dhe mjetet mësimore do të ofrohen sipas praktikës së vitit të kaluar, pra subvencionimit të prindërve të cilët do të kenë mundësi të aplikojnë (për subvencionim) që nesër” – ka thënë Nagavci, më 13.08.2024.

Ndryshe nga viti i kaluar, Ministria ka vendosur që t’i subvencionojë edhe prindërit e nxënësve të klasave 6 – 9 për blerjen e librave, pasi vitin e kaluar u ishte ndarë buxhet vetëm për mjete shkollore.

Në vitin shkollor 2023/2024, Ministria e Arsimit kishte subvencionuar me nga 80 euro prindërit e nxënësve të klasave 1 deri në 5 për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore, kurse ata të nxënësve të klasave 6 deri 9 me 30 euro vetëm për blerjen e mjeteve mësimore.

Për vitin shkollor 2024/2025, prindërit e nxënësve të klasave 1 deri 5 do të subvencionohen njëjtë si më 2023 me nga 80 euro, ndërsa ata të nxënësve të klasave 6 deri 9 do të marrin nga 110 euro.

As ministrja Nagavci e as zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi kur u pyeten për çmimin e librave dhe vlerën e ndarë të buxhetit për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore, nuk i bën të ditura.

“Nëse kalkulohet si buxhet i tërësishëm, nuk mundemi me kalkulu për shkak se një pjesë e mjeteve shkojnë për tekste shkollore, ndërsa pjesa tjetër është për furnizim të materialeve shkollore. Përderisa nuk i kemi çmimet nuk mundemi me kalkulu, nuk mundemi me prediku shuma. Na mundemi me i nda me juve sa i ndajmë për kokë nxënësi” – ka thënë Kelmendi, më 13.08.2024.

Më pas, ministrja Nagavci tha se e kanë bërë kalkulimin e parë për buxhetin duke pasë parasysh ofertat e para të librave nga shtëpitë botuese.

“Ne do të kërkojmë nga shtëpitë botuese ashtu sikur se edhe vitin e kaluar që t’i publikojnë të gjitha çmimet… Ne kemi bërë planifikime, janë disa planifikime të cilat i kemi bërë por shifrat finale nuk mund t’i japim sot, sepse varet prej numrit të atyre që do të aplikojnë” – ka shtuar Nagavci.

Ky do të jetë viti i dytë shkollor që Ministria e Arsimit aplikon formën e subvencionimit të blerjes së librave përmes prindërve.

Aplikimi i prindërve të nxënësve për t’u subvencionuar për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore përmes platformës online e-Kosova është hapur më 14.08.2024.

Dy partitë opozitare- PDK dhe LDK, më 14.08.2024 kanë mbajtur konferenca për media duke kritikuar vendimin e Ministrisë së Arsimit për subvencionimin e librave dhe mjeteve mësimore.