Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq

Qeveria i jep leje kryeministres serbe Bërnabiq që ta vizitojë Kosovën

Autoritetet e Kosovës i kanë dhënë leje kryeministres serbe, Ana Bërnabiq për të zhvilluar të  hënën vizitën e saj në Mitrovicën e Veriut.

Lajmin për KALLXO.com e kanë konfirmuar nga kabineti i ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës,  i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq që ta vizitojë Kosovën me datën 5 shtator 2022. Dhënia e lejes për vizitë bazohet në  marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjellta të përfaqësuesve politikë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigje.

Portali Kossev.info sot raportoi se Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, të hënën do ta vizitojë Mitrovicën e Veriut.

Bërnabiq do ta fillojë vizitën njëditore në Mitrovicë të Veriut, e shoqëruar nga drejtori i  të ashtuquajturës ‘Zyrës për Kosovë dhe Metohi’, Petar Petkoviq dhe drejtori i Zyrës për IT dhe e-Qeverisje, Mihail Jovanoviq.

Në deklaratën e të ashtuquajturës ‘Zyrës për Kosovë dhe Metohi’, theksohet se vizita e kryeministres serbe është paralajmëruar dje, më 1 shtator, 72 orë para vizitës, në përputhje me Marrëveshjen për Vizita Zyrtare.

“Vizita e kryeministres së Republikës së Serbisë, Ana Bernabiq, në Kosovë dhe Metohi ka për qëllim të përcjellë mesazhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, ku rruga e vetme për të arritur mbijetesën e serbëve në Kosovë. dhe Metohi” – thuhet në njoftim.

Kryeministrja e Serbisë të hënën viziton Mitrovicën e Veriut