Qeveria i hap rrugë lidhjes së marrëveshjes mes FSK-së dhe Mbretërisë së Bashkuar

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare midis Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Albin Kurti, kryeministër i vendit tha se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është ftuar nga Mbretëria e Bashkuar që të hyjë në marrëveshje të përbashkët që parasheh zbarkimin e trupave të FSK-së me ato të Mbretërisë së Bashkuar.

Propozimin për miratimin e kësaj nisme para kabinetit qeveritar e bëri Armend Mehaj, ministër i Mbrojtjes së Kosovës.

“Kjo nismë ka marrë rekomandimin nga ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe negocimi i saj do të bëhet sipas legjislacionit në fuqi. Kjo nismë është shumë domethënëse dhe e rëndësishme për bashkëpunimin mes Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar”, tha Mehaj.

Sipas komunikatës së qeverisë, kjo nismë do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.