Qeveria e Kosovës

Qeveria i hap rrugë emërimit të anëtarëve të rinj në bordin e Sigurimeve Shëndetësore

Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar dy vendime të qeverisjes së Avdullah Hotit për bordin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Qeveria në mbledhjen e mbajtur sot ndonëse ka shkarkuar anëtarët e vjetër, nuk ka dhënë emrat e  anëtarëve të rinj të këtij bordi dhe aktualisht ky institucion nuk ka bord funksional.

Sipas kryeministrit Albin Kurti, me këtë vendim i hapet rrugë përbërjes së re në Bordin e FSSH-së.

“Me këtë vendim i hapim rrugë një përbërjeje të re në bordin për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. U miratua shfuqizimi i vendimit për emërimin e Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”, u tha në mbledhjen e Qeverisë.

Anëtarët e bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore që u patën emëruar me vendim të Avdullah Hotit kanë qenë: Armend Zemaj nga Ministria e Shëndetësisë, Hykmete Bajrami nga Ministria e Financave, Skender Reçica nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rrezart Halili, përfaqësues i odës së Profesionistëve Shëndetësorë, Murat Berisha, përfaqësues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Bujar Gashi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Muhamedali Kodra nga Shoqata e Pacientëve.

Edhe vendimi tjetër që u anulua ishte për zëvendësimin e Hykemet Bajramit me Ermal Lubishtanin e Ministrisë së Financave.