Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria i bie pishman pas 3 ditësh, ia heq 100 mijë euro "Trepçës"

Qeveria e Kosovës ka njoftuar përmes një komunikate për media se ka ndarë 1 milion euro për ndërmarrjen publike “Trepça” pas kërkesës së kësaj të fundit për shkak të borxheve të mëdha.

Përmes një komunikate për media, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se kanë ndarë 1 milion euro për “Trepçën”, pas një vendimi të marrë në mbledhjen elektronike të kabinetit qeveritar.

Mirëpo, 3 ditë më herët, bashkë me bordin e përkohshëm të “Trepçës” mbrapa, kryeministri Hoti kishte dhënë një lajm tjetër.

Ai kishte deklaruar se Qeveria e Kosovës do të ndajë 1.1 milion euro apo 100 mijë euro më shumë se sa vendimi i marrë sot.

“Qeveria do të ndajë 1.1 milion euro për ndërmarrjen”, kishte deklaruar kryeministri Hoti të premten, më 13 nëntor.

Një njoftim të tillë kryeministri Hoti e kishte dhënë edhe në profilin e tij në Facebook.

“Qeveria do të ndajë 1.1 milion euro për ndërmarrjen Trepça për të tejkaluar situatën nëpër të cilën po kalon”, kishte shkruar Hoti më 13 nëntor.

“Mjetet e ndara në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, në nënprogramin Ndërmarrësia, në shumën prej një milion euro, transferohen në Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike në kategorinë “Subvencione dhe Transfere”, në Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike dhe do të përdoren për mbështetjen e N.P. “Trepça”.”, thuhet në komunikatën e Qeverisë më 16 nëntor.

Se janë ndarë 1 milion euro e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku.